Vuçiç: Serbia do të ndihmojë Shqipërinë për pasojat e tërmetit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është shprehur sot nga Tirana se vendi i tij do të jetë një prej 2-3 donatorëve më të mëdhenj për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit në Shqipëri.

Ai u shpreh gjatë takimit të mini Shengenit të Ballkanit në Tiranë se të hënën qeveria e Serbisë do të akordojë një shumë të konsiderueshme financiare për Shqipërinë.

“E rëndësishme për ne është që bashkëpunimi ynë të bëhet sa më intensiv. Shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha familjet e personave që vdiqën në këtë tërmet të tmerrshëm që goditën Shqipërinë.

Për aq sa mundëm duke dërguar ekipet e shpëtimit, por besoj se gjithë njerëzit në vend tuaj e kuptuan gjithë simpatinë tonë, falenderoj kryeministrin Rama që na çoi në Durrës, ku pamë fëmijë, prindërit, gjyshërit e tyre që kishin humbur të afërmit. Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim të hënën për të ndihmuar me një vlerë domethënëse Shqipërinë, dhe besoj se do të jetë një nga 2-3 apo 4 donatorët më të mëdhenj për Durrësin, Thumanën e zonat e tjera në Shqipëri”, tha Vuçiç.
Shtuar më 21/12/2019, ora 14:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori