Osmani: Do ta mbajmë të gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e UÇK-së

Presidentja Vjosa Osmani tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë.

“Nuk thuhet kot se popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre, rrezikojnë në përsëritjen e saj. Prandaj, ne duhet dhe do ta mbajmë të gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe për gjithë luftën e UÇK-së, të cilën ata e bënë për vendin”, deklaroi ajo në seancën solemne për shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Kjo seancë nisi me një minut heshtje për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.

Osmani tha se ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 përbëjnë “jo vetëm kujtesën tonë për historinë më të re të Kosovës, por edhe njërën ndër shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti ynë i ri”.

“Kushtrimi i dhënë më 5 mars nga komandanti Adem Jashari bashkë me familjen e tij, ishte kushtrimi i mobilizimi të vajzave dhe djemve të UCK-së, të cilët përgjatë tri ditëve të betejës në Prekaz, në një përballje heroike me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, fituan përjetësinë”, tha ajo.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

“U jemi mirënjohës përjetësisht të gjithë burrave dhe grave të UÇK-së të cilët i dolën zot atdheut e ranë për lirinë e tij, duke u shndërruar në pjesën më të lavdishme të historisë sonë. Ata dëshmuan se përballë dhunës së skajshme, gjithmonë forcohet skajshmërisht ndjenja për lirinë, përballë synimit për ta shfarosur apo dëbuar një popull të tërë, bëhet e pamposhtur bindja e tij për të jetuar i lirë”, tha Osmani.

Konjufca: Lufta e familjes Jashari, e pashembullt edhe në historinë botërore

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se lufta e familjes Jashari ishte ngjarje e pashembullt, jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë botërore.

“Një të ngjashme nuk e njeh as historia botërore. Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre shekullore, në token e lashtë të stërgjysheve, nga baca Shaban, e deri tek Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetëmohimi aq tronditës, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, kurse bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur UCK-ja u bë frymë dhe e përfshiu të gjithë popullin tonë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rezistenca e familjes Jashari në Prekaz, “nuk është edhe një degë më shumë në pemën të historisë moderne të Kosovës, por është vet trungu i kësaj peme”.

Ai tha se në historinë e UÇK-së dhe të vetë shtetit, rezistenca e familjes Jashari dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare ” e të tilla do të mbeten përjetë”.

“Pas 5, 6 dhe 7 marsit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të rritej si një ushtri vullnetarësh në të cilën do të mobilizoheshin të gjithë ata që kishin vullnetin dhe guximin për të luftuar për çlirimin e Kosovës”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet e luftës për kauzën kombëtare.

“Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe Marsin e Lavdishëm të 98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se në historinë e popullit të Kosovës, nuk ka asnjë ngjarje tjetër “që arrin të ofrojë dhembshurinë dhe krenarinë, në të njëjtën kohë”.

“Qëllimi i shuarjes së trungut tuaj familja, një çerek shekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa juaj atëherë ishte rilindje e jona kombëtare. Rilindja juaj sot si familje, me breza të rinj e pasardhës të Jasharajve, është qëndresë e jona që na mbanë në rrugën përpara”, tha ai.

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, u tha deputetëve se “iu kisha sugjeruar që të jeni të një gjuhe dhe të një qëndrimi, dhe të kalojmë këtë sfidë që e kemi përpara. Të ndahemi një herë e përgjithmonë nga Serbia e pastaj kemi kohë të merremi më të tjerat”.

Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet mike të Kosovës për ndihmën e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“I falënderoj nënat e dëshmorëve, motrat, familjarët e personave të zhdukur, iu uroj shëndet. Lavdi e nder të gjithë atyre që ranë”, tha ai në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Dje në Kosovë ka nisur shënimi i manifestimit treditor të UÇK-së.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës./REL/