Strategjia e “mishit për top”: Pse mercenarët e Wagner Group janë më efektivë në fushën e betejës sesa ushtria ruse

Meduza

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Forcat ruse, të udhëhequra nga mercenarët e Wagner Group, kanë nisur prej 7 muajsh një ofensivë për të marrë kontrollin e qytetit Bakhmut. Më 21 mars, ky grup pretendoi se kishte pushtuar 70 për qind të qytetit, dhe po duket gjithnjë e më shumë se ka gjasa të marrë edhe kontrollin e pjesës tjetër.

Por komanda ushtarake e Ukrainës ka zgjedhur të vazhdojë ta mbrojë qytetin, edhe duke angazhuar forcat rezervë. Kjo mund të ketë vonuar përparimin e Wagner, por s’ka mjaftuar për ta ndalur atë. Ndërkohë, ushtria e rregullt ruse, që po përpiqet njëkohësisht të përparojë në zona të ndryshme të frontit kundër forcave ukrainase më modeste, ka pasur pak sukses në muajt e fundit.

Po çfarë e bën Wagner Group forcën luftarake më të suksesshme të Rusisë në këtë fazë të luftës? Gjatë javëve të para të luftës në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës, kompania private ushtarake e kontrolluar nga bashkëpunëtori i Putin, Evgeny Prigozhin nuk u përfshi në aksion.

Vetëm në prillin e vitit 2022 njësitë e Wagner u vendosën në Popasna, një qytet në rajonin  Luhansk, që ndodhej në vijën e kontaktit midis trupave ukrainase dhe forcave separatiste që nga viti 2015. Në atë moment, komanda ushtarake e Rusisë, që kishte pësuar disfata në rajonet Kiev, Kharkiv dhe Mykolaiv, nisi ofensivën në drejtime të shumta në Donbas. Shumica e atyre sulmeve dështuan, por mercenarët e Wagner arritën të largonin ushtrinë ukrainase nga Popasna (dhe trupat ruse arritën të merrnin qytetin Lyman).

Që nga beteja për Popasna-s, u kuptua se taktikat e Wagner Group janë të përshtatshme për kushtet e kësaj lufte. Një video e asaj periudhe tregon një grup sulmi mercenarësh që kapërcenin pozicionet e një njësie më të madhe ukrainase me ndihmën e një droni zbulimi. Ajo video kontrastonte dukshëm me imazhet e luftimeve urbane që vinin në të njëjtën kohë nga Mariupol dhe Rubizhne. Duke filluar nga gushti i vitit të kaluar, Wagner Group i shtoi ndjeshëm radhët e tij kur filloi të rekrutonte të burgosur dhe mercenarë të tjerë (përfshirë ish-luftëtarë me kontratë dhe ushtarë të dalë në pension).

Ndërsa ushtria ruse po tërhiqej nga Donbasi Verior, Wagner Group e vazhdoi ofensivën e tij në pjesën qendrore të rajonit. Më 1 gusht, mercenarët pushtuan termocentralin Vuhlehirska, pas së cilës ata filluan përparimin e tyre të ngadaltë drejt Bakhmut-it nga jugu.

Në tetor, grupimi mercenar ishte zgjeruar aq shumë sa që iu caktua një pjesë e madhe e frontit që shtrihej nga Horlivka Veriore në Soledar). Bazuar tek numri i trupave dhe madhësia e zonës që mbulon, Wagner Group është afërsisht i krahasueshëm me 4 grupet e forcave të ushtrisë ruse në Ukrainë që janë formuar në bazë të qarqeve ushtarake perëndimore, qendrore, lindore dhe jugore të Rusisë.

Mercenarët kanë artilerinë e tyre dhe madje edhe njëfarë aviacioni. Detajet mbi strukturës dhe metodat e grupit janë të kufizuara. Shumica e informacionit që kemi vjen nga historitë që kanë treguar vetë mercenarët për “korrespondentët e luftës”, që punojnë për portalet që janë pronësi të themeluesit të grupit, Evgeny Prigozhin.

Komanda e Wagner Group tregon një shkallë fleksibiliteti që u mungon Forcave të Armatosura Ruse. Në betejën për kontrollin e Bakhmut, grupi ka ndryshuar vazhdimisht drejtimet e sulmeve të tij të mëdha. Ndërsa në nëntor mercenarët synonin të sulmonin dhe rrethonin Bakhmutin nga jugu, në fillim të dhjetorit, ata zëvendësuan befas forcat e “Republikës Popullore të Donetsku” rreth Soledarit dhe pushtuan disa periferi të rëndësishme (Yakovlivka dhe Bakhmutske).

Pas kësaj, grupi e zhvendosi edhe një herë fokusin e tij në jug të Bakhmut, duke fituar kontrollin e një pjese të periferisë në Opytne, përpara se t’i përqendronte sërish forcat në Soledar, gjë që në fund çoi në pushtimin e qytetit. Kjo u pasua nga një sulm më në jug, ku forcat e Wagner pushtuan Klishchiivka, një fshat që kishte qenë jetik për mbrojtjen e Bakhmut nga Ukraina.

Këto ndryshime të shpeshta të trajektores së sulmit, patën një ndikim të qartë tek forcat rezervë të Ukrainës. Kjo qasje ndryshon shumë nga ofensiva ruse në Vuhledar, ku komanda e Rusisë (nga Qarku Ushtarak Lindor) ka nisur vazhdimisht sulme përgjatë të njëjtave drejtime për muaj të tërë.

Pra Wagner Group është dukshëm më i aftë që t’i përqendrojë forcat dhe burimet e tij mbi një objektiv, dhe duket se ka vendosur me sukses kohezionin midis njësive të tij sulmuese dhe forcave mbështetëse, përfshirë artilerinë dhe forcat e aviacionit. Gjithsesi edhe mercenarët kanë dobësitë e tyre.

Në dallim nga Forcat e Armatosura Ruse, Wagner Group aq që përpiqet të përdorë njësi të mekanizuara për të nisur sulme të shpejta në thellësi dhe prapa linjave mbrojtës të armikut. Në vend të kësaj, njësitë e saj i kryejnë sulmet e tyre në këmbë, duke përdorur vetëm automjetet e blinduara për transport në pjesën e pasme të frontit dhe për të nisur sulme nga distanca të gjata.

Pas pushtimit të një pozicioni ukrainas, grupi i vendos zakonisht forcat e tij atje, përpiqet të sigurojë krahët e tij dhe të përgatitet për sulmin e radhës. Rezultati përfundimtar është një përparim metodik, por i ngadaltë. Kjo i jep mundësi Forcave të Armatosura të Ukrainës të dërgojnë përforcime kudo ku mercenarët kryejnë një sulm.

Po ashtu metodat e Wagner Group kërkojnë burime të mëdha. Përveçse ka pësuar humbje të mëdha në trupa, grupi harxhon shumë municione. Vetë Prigozhin deklaroi kohët e fundit se i duhen 10.000 tonë municione në muaj. Nuk është e qartë se çfarë lloj municioni  nënkupton ai, por nëse i referohet vetëm predhave dhe raketave (me një peshë mesatare 50 kg), kjo dotë thotë se Wagner Group përdor më shumë se 6500 predha në ditë.

Kjo sasi është më e madhe sesa ajo që përdornin Forcat e Armatosura të Ukrainës në të gjithë fushën e betejës gjatë së njëjtës periudhë. Forcat e Wagner Group janë të organizuara në detashmente sulmi që përbëhen nga disa grupe sulmi. Ushtarët dhe gazetarët ukrainas kanë raportuar se një grup mund të përmbajë 7-50 luftëtarë.

Grupet e sulmit përpiqen që t’u afrohen pozicioneve të Ukrainës pa u vënë re (duke lëvizur natën). Çdo grup shoqërohet nga një dron zbulues (ndërsa Forcat e Armatosura Ruse kanë mungesë dronësh), që studion në detaje pozicionet e ukrainasve.

Thuhet se komandantët e grupeve dhe zëvendësit e tyre, marrin plane të detajuara në hartat elektronike, të cilat tregojnë rrugët që duhet të ndjekë çdo mercenar. Sipas të dhënave të inteligjencës, burimet e nevojshme për çdo betejë llogariten paraprakisht

Mercenarët përdorin rrallë mjete të blinduara në luftime në distanca të afërta, por ata përdorin aviacionin më shpesh sesa vetë Forcat Ajrore Ruse. Në të njëjtën kohë, grupi mercenar ka shumë më pak fuqi ajrore dhe një shkallë më të lartë viktimash. Sipas ushtarëve dhe gazetarëve ukrainas, humbjet më të mëdha vërehen në mesin e mercenarëve (veçanërisht të dënuarve të rekrutuar) që sulmojnë drejtpërdrejt llogoret ukrainase.

Komanda e Wagner nuk ngurron të shpenzojë atë që e sheh si një “burim të lirë”, duke ruajtur specialistët e mirë-trajnuar dhe me përvojë. Kjo qasje është në përputhje me taktikat standarde të sulmit që u zhvilluan gjatë Luftës së Parë Botërore.

Dallimi kryesor midis Wagner Group dhe ushtrisë ruse, gjykuar nga përshkrimet e ndryshme të veprimtarisë së tyre, është se i pari tenton të fitojë avantazhin ndaj Ukrainës duke mbledhur dhe përdorur inteligjencën, si dhe duke marrë vendime të shpejta. Pra të njëjtat praktika që japin ushtria ukrainase një avantazh të dukshëm ndaj Forcave të Armatosura Ruse.

A mund t’i përballojë këto taktika ushtria ukrainase? Sipas personelit ushtarak ukrainas që ka studiuar taktikat e Wagner Group, problemi i ushtrisë ukrainase është se shumë nga forcat e saj mbrojtëse janë statike:ushtarët qëndrojnë vazhdimisht ulur në llogore apo në godinat ku ata janë urdhëruar të qëndrojnë.

Shpeshherë ata nuk kanë burime të mjaftueshme të inteligjencës (si p.sh dronët) për vlerësime të vazhdueshme të qasjeve të mundshme nga mercenarët rusë. Së fundi, një pjesë e problemit vjen nga vetë vendimmarrja e komandës ushtarake ukrainase.

Në pjesën më të madhe të betejës për Bakhmut-in mercenarët rusë kishin një avantazh të ndjeshëm numerik. Në ato kushte, Kievi kishte dy opsione më pak të këqija:Të transferonte rezerva të mëdha në pjesën e frontit që gjendej i kërcënuar, të barazonte ekuilibrin e forcave dhe të përpiqej të rifitonte iniciativën.

Apo të tërhiqej dhe transferonte forcat që mbronin Bakhmut në pozicione më të mbrojtura.

Por deri më tani, Kievi nuk ka zgjedhur asnjërën nga opsionet. Ndërkohë, trupat shtesë që ka transferuar në Bakhmut nuk kanë mjaftuar. Me shumë mundësi, ushtria e Ukrainës do të detyrohet të vendosë herët a vonë, por në kushte më të këqija sesa nëse do ta kishte bërë një muaj më parë.

Por pavarësisht arritjeve të tij në fushën e betejës, e ardhmja e vetë Wagner Group është e pasigurt. Sipas të gjitha gjasave, Evgeny Prigozhin është përplasur ashpër me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, të cilën ai e ka akuzuar rregullisht se refuzon t’u sigurojë mercenarëve të tij armët që u nevojiten që nga shkurti i këtij viti. Njëkohësisht Prigozhin nuk lejohet më të rekrutojë të burgosur, për pasojë forcat e Wagner ka të ngjarë të tkurren ndjeshëm. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 24.03.2023 08:37