Vrasja e Salihut, e patolerueshme
Qeveritar, zyrtarë të lartë dhe opozitarë në Kosovë kanë dënuar ashpër vrasjen e drejtorit të arsimit në Komunën e Prishtinës. Ata kanë kërkuar ndëshkimin e autorit të krimit dhe kanë ngushëlluar familjarët për humbjen e madhe.

Atifete Jahjaga: E patolerueshme

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shprehur e brengosur rreth vrasjes së drejtorit të Departamentit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu.
Jahjaga e quajti të patolerueshëm incidentin në fjalë, ndërsa theksoi rëndësinë për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Kosova është duke punuar për forcimin e sundimit të ligjit, trajtimin e korrupsionit dhe sfidat e zhvillimit ekonomik. Ne jemi të brengosur që sot në zyrën e vet është vrarë Drejtori i arsimit të Prishtinës. Kjo është e patolerueshme dhe shprehë nivelin e ultë të marrëdhënieve në shoqëri që flet se ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit si parakusht për jetë të qetë e normale për secilin qytetar”, tha Jahjaga në një ceremoni të diplomimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Qeveria dënon vrasjen e Salihut

Qeveria e dënon aktin kriminal të vrasjes së drejtorit të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Remzi Salihu.

“Ky është një sulm i rëndë kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe cenim i rëndë i integritetit të zyrtarit instiucional në vendin e tij të punës”, theksohet në komunikatën e qeverisë.
Qeveria i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Salihu.


Akovakti i Popullit dënon vrasjen e Salihut

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, është jashtëzakonisht i shqetësuar lidhur me rastin e vrasjes së drejtorit të Drejtoratit për Arsim në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu. Kurteshi, përmes një komunikate për medie, ka thënë se ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti i vrasjes së tij në vend të punës.

“Ky rast dhe raste të tjera që kanë ndodhur kohëve të fundit, siç ishin vrasjet e të rinjve në Pejë, njëra para dy muajsh e tjetra para dy javësh, vrasja e para dhjetë ditëve në Prishtinë, rasti i vrasjes dhe plagosjes së babës me djalin e tij, ditën e shtunë në Xërxë, janë tregues të një gjendje të brishtë të sigurisë publike në vend”, thuhet në reagim.

Identifikimi i fajtorëve dhe vënia e tyre para organeve të drejtësisë, sipas Kurteshit, është e nevojshme që të bëhet sa më shpejt.
“Gjithashtu është veprim i domosdoshëm për të ofruar parandalimin e akteve të tilla kriminale dhe për të ndikuar në rritjen e sigurisë së qytetarëve të vendit. Kjo duhet të jetë prioritet i organeve të rendit dhe institucioneve kompetente të drejtësisë në Kosovë”, ka vlerësuar në fund Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

PS e Kosovës dënon vrasjen

Partia Socialiste e Kosovës dënon ashpër aktin kriminal të vrasjes së drejtorit të drejtorisë së arsimit të Komunës se Prishtinës dhe i shpreh ngushëllime familjes se tij.

“Është e vërtetë, se ky akt tregon nivelin e ulët të sigurisë në Kosovë, nivel ky që është pasojë e drejtpërdrejt e nivelit primitiv qeverisës në Kosovë, për të cilën PSK pandërprerë ka tërhequr vërejtjen dhe ka alarmuar opinionin për nevojën e ndryshimeve cilësore, në radhë të parë përmes profilizimit (modernizimit të politikës) i cili nuk mund të vijë duke ruajtur strukturat e vjetra qeverisëse në përgjithësi, e në veçanti në administratën shtetërore”, thuhet në reagimin e Partisë Socialiste të Kosovës.

AAK dënon vrasjen e drejtorit Salihu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një komunikate për medie, ka thënë se me shqetësim të thellë mori lajmin për vrasjen, në vendin e tij të punës, të drejtorit të Departamentit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu.
“AAK, e tronditur thellë nga kjo ngjarje, e dënon fuqishëm këtë krim, duke e konsideruar atë si një akt të drejtuar direkt kundër shtetit ligjor, rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës”.

“AAK, në këto momente të rënda pikëllimi, ua përcjellë ngushëllimet më të thella familjes së z. Salihu dhe të gjithë kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit në Komunën e Prishtinës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Kryetari i Prizrenit në Prokurori

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, është paraqitur të hënën para prokurorisë së Qarkut në Prizren, për të dëshmuar rreth dyshimeve të ngritura për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Avokati i tij, Engjëll Qeta, tha se klienti i tij është i pafajshëm. Ai, sipas Qetës, është i gatshëm të bashkëpunojë me Prokurorinë pasi, siç tha, nuk ka pasur shpërdorime të detyrës ashtu siç akuzohet.

Përveç Mujës, në gjykatë është paraqitur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Njazi Kryeziu dhe disa zyrtarë tjerë.

Lënda me të cilën ngarkohen zyrtarët e Komunës së Prizrenit, është ndërtuar mbi bazën e një denoncimi të një qytetari anonim, por që përkrahet nga deputeti i LDK-së në kuvendin komunal, Ridvan Hoxha.
/albeu.com/
Shtuar më 03/10/2011, ora 15:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori