Vrasja e Ivanoviqit fut Serbinë në listën e zezë
Serbia që nga dita e djeshme është futur në listën e zezë të organizatës ndërqeveritare Financial Action Task Force (FATF).
Kështu ka njoftuar ish-presidenti i Serbisë, aktualisht kryetar i SDS, Boris Tadiq, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.

Kjo organizatë lufton kundër pastrimit të parave dhe financimit të organizatave terroriste.

“Serbia, qysh dje është përfshirë në ‘listën e zezë’, bashkë me Jemenin, Sirinë, Irakun, me shtetet që marrin pjesë në pastrim parash, institucionet e të cilave nuk e pengojnë këtë gjë dhe institucionet e të cilave nuk pengojnë dërgimin e parave organizatave terroriste. Këtë Qeveria jonë po e fsheh nga opinioni”, u ka deklaruar Tadiq gazetarëve para Presidencës serbe, njofton agjencia serbe e lajmeve B92.

Sipas këtij mediumi, nga kjo listë është hequr Bosnja e Hercegovina, ndërsa është përfshirë Serbia, që e bën vendin e vetëm nga Ballkani i cili ka gjetur vend në këtë listë bashkë me vendet e nxira, është shprehur ai.

Tadiq ka thënë se vrasja e Oliver Ivanoviqit, liderit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (SDP) , “ka lidhje me krim të organizuar, pastrim parash dhe e ndërlidh Serbinë me vendet më të zeza të botës”, transmeton Koha.net.

“E gjithë kjo ndërlidhet në sistem të përbashkët, e kjo është hallka e shtetit me krimin e organizuar, që prodhon rrezik për jetën jo vetëm të qytetarit siç ishte Oliver Ivanoviq, por për të gjithë qytetarët”, ka vlerësuar ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Vrasja e Oliver Ivanoviqit është vrasja e katërt politike që ka ndodhur në 20 vjetët e fundit në Serbi dhe ne jemi i vetmi vend në territorin e Evropës ku ka ndodhur diçka që turpëron të gjithë përfaqësuesit e shtetit”, ka shtuar ai.

Përveç kësaj, Tadiq ka rikujtuar se Ivanoviq para se të vritej kishte tërhequr vërejtjen për kërcënime dhe se për këtë kishte informuar Agjencinë Informative të Sigurisë (BIA), por Ivanoviqin askush nuk e kishte mbrojtur.
Shtuar më 25/02/2018, ora 12:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori