Papa Françesku thirrje Rusisë: Gruri s’mund të përdoret si armë lufte

Situata e bllokimit të eksporteve të grurit nga Ukraina është shumë shqetësuese dhe drithi nuk mund të përdoret si “armë lufte”, tha Papa Françesku, duke i bërë thirrje Rusisë.

Duke folur para mijëra njerëzve të mbledhur sot në sheshin e Shën Pjetrit, Papa tha se miliona njerëz vareshin nga gruri i Ukrainës.

“Bllokimi i eksporteve të grurit nga Ukraina është shumë shqetësues, sepse jeta e miliona njerëzve varet nga kjo, veçanërisht në vendet më të varfra”, tha Papa.

Papa u lëshoi thirrje autoriteteve për të hequr bllokimin e eksporteve të grurit.

“Ju lutem! Mos e përdorni grurin, një ushqim bazë, si armë lufte”, tha ai.

Papa e ka dënuar vazhdimisht luftën pa thirrur drejtpërdrejt Rusinë apo Vladimir Putinin. Sot ishte hera e parë që ai foli për krizën globale të ushqimit që ka sjellë kjo luftë.

Muajin e kaluar, kreu i Kombeve të Bashkuara tha se kishte një krizë globale ushqimore për shkak të ndikimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Problemi buron nga fakti se Rusia dhe Ukraina janë eksportues të mëdhenj të disa prej ushqimeve kryesore më të mëdha në botë.

Mes tyre, ata janë përgjegjës për 53% të tregtisë globale të vajit dhe farave të lulediellit dhe 27% të tregtisë së grurit, sipas Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin.