Vjosa Osmani për Mustafën: Mashtrues, shërbëtor i bandave, humbës i shumëfishtë
Kritikave të Vjosa Osmanit për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Avdullah Hotin, sot u është kundërpërgjigjur Isa Mustafa, në një intervistë për Gazetën Express duke thënë se Vjosa Osmani është një kopje e Kurtit e cila edhe i ka humbur zgjedhjet e 6 tetorit.


Pas kësaj interviste të Mustafës, ka qenë i menjëhershëm reagimi i vetë kryetare së Kuvendit, e cila për liderin e LDK’së thotë se është një njeri i njohur për mashtrim, ndryshim qëndrimesh e tregti me parim.

“Gjithçka mund të gjesh tek Isa Mustafa si tipar: mashtrimin, devijimin, ndryshimin e qëndrimeve sa hap e mbyllë sytë, tregtinë me parime etj, por nuk mund të gjesh asnjë pikë njerëzillëku”, ka shkruar Osmani në profilin e saj.

Ish-nënkryetarja e LDK’së ka thënë se i ka besuar Mustafës në vitin 2019, kur sipas saj, ai kishte thënë se bashkë do t’i largojnë “bandat mafioze nga pushteti”


“I kam besuar, siç i beson dikush prindit të vet, si në vitin 2014, poashtu më 2019, kur më premtonte çdo ditë se nuk do ta braktisë rrugën që e nisëm bashkë dhe ata të cilët vet Mustafa i cilësonte “banda mafioze”, do t’i largojmë nga udhëheqja e shtetit”, ka shtuar ajo.

Tutje ajo ka thënë se Mustafa është bërë shërbetor i ‘bandave mafioze’.

“Lëre që e braktisi këtë rrugë, por tani po dëshmohet si shërbëtori më i denjë i po këtyre kastave që vet i cilësonte “banda mafioze”. Madje si recidivist…E tash, edhe duke tentuar të fitojë pikë te këto “banda mafioze”, duke më sulmuar mua”, ka theksuar kryekuvendarja.

Osmani thotë se mund të ketë gabuar gjatë rrugës, derisa thotë se gabimi më i madh është që i ka besuar Isa Mustafës.

“Unë mund të kem bërë gabime në rrugën time politike. por asnjëherë me qëllimin që ta shkelë interesin qytetarë. Megjithatë, gabimi më i madh në jetën time është që i besova Isa Mustafës. Madje këtë gabim e bëra për herë të dytë, me shpresën se ai nuk do të kthehej përsëri tek idhujt e tij politik në PDK & Co”, ka thënë Osmani.

“Ai, jo vetëm që e keqpërdori këtë besim por tani vazhdon me sulme banale e të pavërteta kundër meje pikërisht për ta arsyetuar koalicionin me PDK-në për të cilin ai po punon ditë e natë.

Humbësi i shumëfishtë i zgjedhjeve tani më paska akuzuar mua për humbje të zgjedhjeve. Por, ai e di shumë mirë se mua më ofruan të kandidojë për Kryeministre për shkak se ai dhe të tjerët (me një përjashtim) NUK GUXUAN të dalin e të përballen në zgjedhje me Kurtin”, ka shtuar tutje.

“Unë, lëre që e pata guximin, por i solla LDK-së rezultatin më të mirë në 15 vitet e fundit. Recidivisti, në peak-un e fushatës zgjedhore, dilte në intervista duke thënë që nuk është penduar që e ka zgjedhur Thaçin President, duke rrënuar çdo kala, të cilën unë me kolegë e ndërtonim në çdo lagje e çdo fshat duke rikthyer besimin për LDK-në të shkelur rrënjësisht nga Mustafa & Co.

Por, meqë sipas tyre unë ua paskam humbur zgjedhjet (me dallim 1%), le të urdhërojnë tash e të dalin para qytetarëve pa mua (meqë më përjashtuan) e le të fitojnë! Çka po i ndalë tash?! Le të dalin e le të kërkojnë votë për atë që vërtetë përfaqësojnë: patericë e kapësve të shtetit!

Për fund, i kërkoj falje nga thellësia e zemrës të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilëve ju kam kërkuar votën me besimin e thellë se LDK-ja e Mustafës nuk do të shndërrohet në mashtruese recidiviste!”, ka përfunduar Osmani në reagimin e saj.
Shtuar më 06/10/2020, ora 18:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori