Vjosa Osmani: Hoti përveç njohjes, duhet të kërkojë edhe llogari nga Serbia për krimet në Kosovë
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk mund të ketë marrëveshje në Uashington në mes të Kosovës dhe të Serbisë, që do të dërgojë në paqe të qëndrueshme, nëse nuk ka falje nga ana e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë.

Osmani në një status të gjatë në Facebook ka përmendur krimet e serbëve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ka shtuar se presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandër Vuciq ka qenë pjesëmarrës i aparaturës shtetërore atëherë.

"Këto të gjetura personale përbëjnë aktakuzën më mallkuese ndaj regjimit gjenocidal të shtetit serb, i cili kreu krime monstruoze duke masakruar civilë të pafajshëm. Prej atëherë, në këto varre masive nuk ka asnjë shenjë, më të cilën kujtohen viktimat shqiptare të varrosura këtu.", ka shkruar ajo.

"Presidenti Vuçiq, ish- ministër i Millosheviqit, i cili ka gjasë të ketë qenë prezent në takimet kur shefi i tij jepte urdhra për zhvarrosje të civilëve shqiptarë me ekskavatorë – sot e asaj dite nuk e ka parë të rrugës të vendosë lule dhe të përkulet aty apo të kërkojë falje për viktimat! Politikanë, ushtarakë e policë serb në atë kohë i përdornin shumë sintagmat: "pastrim i terrenit" dhe "sanitizim", të cilat kishin të bënin me zhvarrosjen e viktimave shqiptare dhe transportimin e tyre drejt varrezave masive në Serbi", shtoi Osmani.

Andaj për takimin në Uashington ajo ka një kërkesë.

"Pas dy ditësh, kryeministri i Kosovës do të takohet në Uashington me Presidentin Vuçiq për të negociuar për arritjen e një të ashtuquajture marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë. Pas këtij takimi do të ketë edhe negociata të tjera në Bruksel. Marrëveshja, po thuhet nga disa, do të sjellë paqe të qëndrueshme në mes popujve tanë.", tha Osmani.

"E, si mund të ketë paqe me njerëz të cilët s’mund t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të kërkojnë falje për viktimat që i kanë shkaktuar?! Ndërgjegjja s’mund të "pastrohet" e as "sanitizohet". Ndërgjegjja kërkon pendim, kërkim falje, dhe shpagim!"

"Përveç njohjes, Hoti duhet t’ia kërkojë Vuçiqit lulen e munguar në varrezën masive me shqiptarë në Batajnicë!", përfundoi kryetarja e Kuvendit.
Shtuar më 02/09/2020, ora 21:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori