Grigory Yudin:Kufijtë e Rusisë nuk mbarojnë askund, Putin do gjithë Evropën Lindore

Nga Margarita Liutova “Meduza

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Sociologu Grigory Yudin, ishte një ndër ekspertët e paktë rusë që besonin në shkurtin e vitit 2022 se një përplasje ushtarake midis Rusisë dhe Ukrainës ishte e pashmangshme.

Në një artikull të botuar vetëm dy ditë para pushtimit, Yudin parashikoi se një luftë e madhe pritej të shpërthente shumë shpejt, se rusët do të ndiqnin narrativën e Kremlinit duke e fajësuar Perëndimin, dhe se sanksionet nuk do të bënin asgjë për të ndaluar Putinin.

Që të gjitha ato parashikime u vërtetuan. Tani 1 vit më pas, korrespondentja speciale e “Meduza”, Margarita Liutova, bisedoi me Yudin rreth arsyeve pse Putin ka nevojë për një “luftë e përjetshme”, dhe çfarë mund të sjellë shfaqjen e një lëvizjeje të gjerë kundër luftës në Rusi.

Ekziston një pikëpamje e përhapur mbi politikën bashkëkohore ruse, sipas së cilës lufta është një proces i pafund për Putinin, dhe vetë presidenti rus duket se e konfirmoi këtë ide në fjalimin e tij të fundit në Asamblenë Federale. Ai nuk tregoi se si Rusia do të fitojë, dhe çfarë do të ndodhë pas kësaj. A mendoni se plani i Putinit është vërtet një luftë e përjetshme?

Po, sigurisht, lufta tani është e përhershme. Ajo nuk ka synime që mund të arrihen dhe që mund të çojnë në përfundimin e saj. Lufta vazhdon vetëm sepse në imagjinatën e Putinit, ata janë armiq dhe duan të na vrasin ne rusëve, ndaj ne duam që t’i vrasim ata. Për Putinin, kjo është një luftë ekzistenciale me një armik që është i vendosur për ta shkatërruar Rusinë.

Nuk duhet të ketë asnjë iluzion: për sa kohë që Putin do të jetë në Kremlin, lufta nuk do të përfundojë. Ajo vetëm sa do të zgjerohet. Madhësia e ushtrisë ruse po rritet me shpejtësi, ekonomia po riorientohet drejt armëve, dhe arsimi po kthehet në një mjet propagande dhe përgatitje për luftë. Ata po e përgatisin vendin për një luftë të gjatë dhe të vështirë.

Por edhe në këto kushte është padyshim e pamundur që Putini të fitojë?

Është absolutisht e pamundur. Askush nuk ka vendosur ndonjë qëllim për luftën, dhe as nuk ka shprehur ndonjë përkufizim të fitores.

Pra kjo luftë ka të bëjë vetëm me ruajtjen e autoritetit të Vladimir Putinit?

Janë thuajse e njëjta gjë. Ai e mendon sundimin e tij si luftë të vazhdueshme. Putini dhe njerëzit që e rrethojnë na e kanë thënë që shumë kohë më parë se kundër rusëve ka një luftë.

Disa preferuan të mos i kishin parasysh fjalët e tyre, ndërsa të tjerë e mendojnë seriozisht se kanë qenë në luftë për një kohë të gjatë.

Vetëm se tani kjo luftë ka hyrë në një fazë kaq agresive dhe padyshim pa rrugëdalje. Në vetvete lufta është normale në botëkuptimin e tyre.

Më 22 shkurt 2022, ju botuat një artikull në të cilin parashikonit një luftë të madhe dhe qëndrimin shpërfillës të Putinit ndaj sanksioneve që vendet perëndimore vendosën si përgjigje. Ndër të tjera ju shkruat se “lufta me Ukrainën do të jetë më e pakuptimta nga të gjitha luftërat në historinë e Rusisë”. A mendoni se shoqëria ruse nisi ta kuptojë këtë gjatë vitit të kaluar?

Jo. Sot në Rusi është një nga ato raste të rralla kur Vladimir Putin lidhet me një pjesë të rëndësishme të shoqërisë. Putin e prodhon vetë këtë emocion. Dhe ky emocion është një pakënaqësi e madhe ndaj Perëndimit, të cilin nuk mund ta zbusë dot asgjë. Është e pamundur të imagjinohet se çfarë mund ta kompensojë atë.

Ajo nuk i lejon rusët të mendojnë për krijimin e çfarëdo lloj marrëdhënie produktive me vendet e tjera. Rusët janë sot ai fëmija i vogël që ofendohet rëndë dhe më pas lëndon ata që e rrethojnë.

Dëmi bëhet gjithnjë e më i madh dhe në një moment, ai fillon seriozisht të shkatërrojë jetën e të tjerëve por edhe jetën e tij. Por fëmija nuk po e vret mendjen për këtë, sepse nuk mendon se ka nevojë të ndërtojë njëfarë marrëdhënie me të tjerët.

Kundër kujt e kanë këtë inat Vladimir Putinin dhe shoqëria ruse? Ndaj gjithë botës? Perendimit? Shteteve të Bashkuara? 

Ata e kanë inatin me rendin botëror aktual, që u duket i padrejtë, dhe me cilindo që merr përgjegjësinë për të qenë “superior” në këtë rend botëror, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mua më ka mbetur në mendje diçka që Putin e tha në mesin e vitit 2021.

Ai tha se në këtë jetë nuk ka lumturi. Është një deklaratë e fortë për një udhëheqës politik, që natyrisht nuk duhet t’i çojë njerëzit në parajsë, por teorikisht duhet t’ua bëjë jetën më të mirë.

Por ai duket sikur thotë: “Në këtë jetë nuk ekziston lumturia. Bota është një vend i keq, i padrejtë, i egër, ku mënyra e vetme për të ekzistuar është të luftosh vazhdimisht, të luftosh dhe në raste ekstreme të vrasësh”.

Ju keni deklaruar më shumë se një herë, se Putin nuk do të ndalet në Ukrainë. Çfarë parashikoni saktësisht? Sulmin ndaj Moldavisë, shteteve baltike, një luftë vetë-shkatërruese me SHBA-në?

Botëkuptimi i tij nuk sheh kufij. Kjo formulë është bërë praktikisht një linjë zyrtare: kufijtë e Rusisë nuk mbarojnë askund.

Ky është përkufizimi standard i një perandorie, sepse një perandori nuk njeh kufij. Unë do t’i kujtoj të gjithëve ultimatumin e Putin për SHBA-në dhe NATO-n në dhjetor të 2021.

Në një tekst të thjeshtë thuhet se e gjithë Evropa Lindore është sfera e ndikimit të Vladimir Putinit. Dhe kjo zonë përfshin edhe Gjermaninë Lindore, vetëm sepse Putin ka kujtime personale për të. Putin synon të rikrijojë zonën e Traktatit të Varshavës.

Strategjia e përgjithshme e Rusisë është pak e shumë tillë: le të kafshojmë një copë, më pas ajo pjesë do të njihet si e jona në mënyrë legjitime dhe në fazën tjetër mund të gllabërojmë diçka tjetër. Dhe në logjikën e kësaj strategjie, ne do të aneksojmë përafërsisht të gjithë Ukrainën Lindore, me ndihmën e një lloj armëpushimi.

Shumë shpejt nga Evropa do të fillojmë të dëgjojmë zëra që thonë: “Epo, tek e fundit ishte toka e tyre. Të gjithë ranë dakord, ndaj është ok”. Por, prit një minutë.

Nëse është toka “e tyre”, sepse njerëzit atje flasin rusisht, atëherë ç’mund të themi për Estoninë lindore? Ju mund të thoni “Por, Estonia është në NATO!?”. Por a do të luftojë NATO për Estoninë? Putin është absolutisht i sigurt se nëse testohet në momentin e duhur qëndrueshmëria e nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut (neni që siguron mbrojtjen kolektive), aleanca do të shpërbëhet.

Ju keni përmendur herë pas here diskursin që po dëgjohet tani më shpesh në lidhje me kulturën ruse:Që ajo është perandorake, dhe se lindi dhe ushqeu një mentalitet skllav…

Unë mendoj se kultura ruse ka një element të madh perandorak, dhe ka ardhur koha të përballemi me këtë dukuri. Rënia e një perandorie është një moment i mirë për ta bërë këtë.

A do ta zhdukë kjo përballje kulturën ruse? Jo. Dhe mund të mos zhdukë as veprat e ndonjë shkrimtari të caktuar. A mund të gjejmë ide perandorake në veprën e një shkrimtari të caktuar? Po. Por pse është nevoja ta refuzosh apo ta pranosh plotësisht?

Çfarë mendoni për ndarjen midis atyre që janë larguar nga Rusia dhe atyre që kanë qëndruar?

Ne rusët dhe vendi ynë jemi në vështirësi. Do të ishte mirë nëse të gjithë ata që janë tani jashtë Rusisë të mendonin se si të ndihmojnë ata që janë në Rusi. Dhe të gjithë ata në Rusi se si të ndihmojnë ata që vuajnë larg. Ne mund ta kalojmë vetëm së bashku një situatë të tillë. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 27.02.2023 13:09

Tags: