Incidente në Çeki: Tifozët serbë dhe tifozët çekë tentojnë të sulmojnë tifozët kos
Vjosa kritikon Kurtin dhe thotë se kurrë nuk do ta mbajë fotografinë e Thaçit në zyrë
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, ka qenë e ftuar mbrëmë në emisionin Pressing të Televizionit 7.

Osmani përballë analistëve ka folur për tema të ndryshme duke filluar nga programi i LDK-së për qeverisje, zgjedhjen e Thaçit president, përdorimin e fjalëve serbe nga Vetëvendosja, rritjen e buxhetit nëse bëhet kryeministre e deri te krahasimi i Kadri Veselit dhe Albin Kurtit me personalitetet famëkeqe të Amerikës së Jugut, Pablo Escobar dhe Hugo Chavez, shkruan Gazeta Express.

Ajo ka kritikuar përdorimin e fjalëve serbe nga ana e Vetëvendosjes për Bashkësinë e Komunave Serbe, të cilët i janë referuar me “zajednicë”.

“Asnjë kontekst nuk na e imponon neve që të thirret ‘zajednicë’ asociacioni, bashkësia”, ka thënë kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Osmani ka kujtuar se kur është votuar Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ajo ka qenë kundër, ndërsa VV-ja nuk e ka kundërshtuar në seancë.

“Sa i përket bashkësisë së komunave serbe. Në vitin 2013, unë kam votuar kundër atij asociacioni, Vetëvendosje ka ikë nga salla e Kuvendit”.

Osmani ndër të tjera ka folur edhe për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e Presidentit me votat e deputetëve të LDK-së në shkurt të 2016.

“Zgjedhja e Thaçit ka qenë gabim i madh dhe koalicioni PDK-LDK nuk ka qenë në pajtim me vullnetin e partisë tonë”, ka thënë Osmani.

Ajo është përgjigjur në pyetjen se a do ta mbajë fotografinë e Hashim Thaçit në zyrën e saj të kryeministres.

Ajo thotë se fotografia mund të vendoset diku në ndërtesë, por assesi në zyrën e saj.

“Absolutisht jo në zyrën time. Nuk ka nevojë me ligj të mbahet. Por unë shpresoj se nuk do ta kemi për shumë gjatë Thaçin, por një president apo presidente tjetër”, është shprehur Osmani.

Osmani ndër të tjera në Pressing ka folur edhe për buxhetin që do të ketë Kosova nëse ajo do të jetë kryeministre.

Osmani ka thënë se pret që vendi të ketë rritje stabile ekonomike dhe të rritet prodhimi.

“Synojmë të arrijmë buxhetin 3 miliardë euro”, ka deklaruar Osmani.

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja ka krahasuar dy rivalët e saj Kadri Veseli dhe Albin Kurti me personalitetet e Amerikës së Jugut, Pablo Escobarin dhe Hugo Chavezin.

Osmani ka përmendur “Mbretin e Kokainës” nga Kolumbia, Pablo Escobar, duke e krahasuar me të kandidatin për kryeministër nga PDK-ja, Kadri Veselit.

Së fundmi është bërë virale një fotografi e Veselit me futbollistët e kombëtares, që duket e njëjtë me atë të Eskobarit me futbollistët kolumbianë.

Ndërkaq, ajo ka përmendur edhe ish-liderin e Venezuelës që e ka kthyer pushtetin e tij në diktaturë, Hugo Chavez, kur po fliste për kundërkandidatët e saj, me të cilin e krahasonte Kurtin.

Sipas Osmanit, LDK-ja do të qeverisë normal dhe me një drejtësi normale, e jo me Hugo Chavezin e Pablo Escobarin.

“Ne ofrojmë drejtësi normale. Me i ngre zhag njerëzit me pizhama është hakmarrje, nuk është drejtësi”, ka thënë Osmani.
Shtuar më 25/09/2019, ora 09:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori