Vjosa i reagon Lutfi Hazirit: Të të vijë turp
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka kritikuar deputetët e partisë së tij, të cilët janë kundër bashkimit të Preshevës me Kosovën.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi. Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën. Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë!”, ka shkruar Haziri dje në Facebook.

Pas kësaj, ka reaguar deputetja Vjosa Osmani, e cila i thotë Hazirit se ‘para se të jetë nuse e Preshevës është bijë e Mitrovicës’.

Mes tjerash, Osmani ka thënë se ‘duhet tu vije turp atyre që po përkrahin Hashimin në idenë e ndarjes së Kosovës’. Ajo shkruante në Facebook:

“Para se të jem nuse e Preshevës, unë jam bijë e Mitrovicës.
Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë.

Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto qendrime nuk janë vetëm të miat, Armend Zemajt e Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, degëve të LDK-së dhe gjithë Grupit Parlamentar të LDK-së. Por mbi të gjitha janë qëndrime që mbrojnë shqiptarët e Luginës nga gënjeshtrat e mashtrimet tuaja e të Hashimit. Qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nuk përbijnë më dot kurthe që ju dhe Thaçi ua servoni e nuk lejojnë që dinjiteti i tyre të përdoret për perfitime tuajat elektorale.

Për fund, ju përshëndes me këto fjalë të heroit Isa Boletini nga viti 1901”.

E këtë qëndrim të Osmanit, e ka përkrahur edhe Haxhi Avdyli i LDK-së, i përmendur edhe në statusin e Hazirit.

Ai ka bërë shpërndarjen e mesazhit të Vjosa Osmanit, bashkë me thënien e Isa Boletinit, ku shkruhet:

“Unë nuk muj me i mshel sytë kur punohet në dam të popullit tim. Në qoftë se ju keni frikë prej Serbisë, largohuni sepse shqiptarët do t’i dalin zot vendit të tyre’.
Shtuar më 12/09/2018, ora 10:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori