Vjen reagimi i parë ndaj urdhërarrestit të tre deputetëve
Pëlqej
I vetmi që është paraqitur në seancën e sotme nga katër deputetët e Vetëvendosjes që akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në seancat e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës, është Faton Topalli.

Ndaj tij nuk është marrë sot asnjë masë, por ndaj tre deputetëve të tjerë, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj Bujupit, gjykatësi Beqir Kalludra ka lëshuar fletëarrest, që mëpastaj t’u caktohet masa e paraburgimit, për arsye të mosparaqitjes në gjykatë.

Topalli ndërkohë, në një deklaratë për Periskopin, vendimin e ka quajtur politik, derisa tha se në seancë kishte shkuar për të kërkuar ndërrimin e trupit gjykues me në krye Beqir Kalludrën, shkruan Periskopi.

Topalli paralajmëroi se vendime të tilla mund ta acarojnë situatën.

“Ky është një vendim tërësisht politik. Beqir Kalludra po merr vendime politike. Po merr vendime që mund ta acarojnë situatën në tërësi”, tha ai.

“Desha të kërkoj që trupi gjykues dhe Kalludra të ndërrohen, por nuk mu dha fjala”, vazhdoi ai.

Deputeti Topalli tha se Beqir Kalludra ka udhëhequr disa procese të padrejta gjyqësore kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje

“Ka udhëhequr disa procese kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Gjyqtari Kalludra është treguar jashtëzakonisht joprofesional duke marrë vendime që shkojnë në favor të politikanëve të caktuar”, tha Topalli.
Shtuar më 22/11/2017, ora 09:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori