Vizita e Thaçit në Serbi, reagojnë serbët kërkojnë arrestimin e tij
Lajmi se zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi mund të vizitojë Beogradin në fund të prillit, ka sjellë reagimin e ashpër të mediave dhe qytetarëve serb te besueshmëria e këtij lajmi.

Përmes komenteve të shumta të dërguara në portalin e njohur beogradas, “B92”, dhjetëra qytetarë serbë kërkojnë arrestimin e ish-liderit politik të UÇK-së, për të cilin shteti serb kishte lëshuar fletëarrest në vitin 1999.

Disa nga komentet e qytetarëve serbë janë; "Ja rasti për ta arrestuar atë në bazë të fletëarrestit", "A është kjo e mundur!? Kjo qeveri e ka humbur kompasin tërësisht", "Ja edhe rasti ideal që krimineli i luftës Hashim Thaçi, i njohur si komandant "Gjarpëri" të arrestohet dhe të sillet para drejtësisë", "Ky do të ishte poshtërimi më i madh që mund t'i bëjmë vetes", "Ky është përfundimisht fundi i Serbisë. Përshëndetje nga Kosova", "Nëse kjo është e vërtetë, kam vetëm një pyetje: A jeni ju normal? Dërgojeni edhe në Skadarli për të shijuar muzikën e gjallë".

Ndërkohë nga ana tjetër analistët këtë vizitë e shohin si një mundësi e mirë që mund të ndihmonte dialogun dhe shtensionimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. /albeu.com/

Shtuar më 15/04/2015, ora 11:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori