Vitin e kaluar ikën nga Kosova mbi 11 mijë qytetarë
Vendi më i varfër në rajon dita-ditës po boshatiset. Vetëm gjatë vitit të kaluar, nga Kosova janë larguar 11 mijë e 263 banorë. Të gjithë këta kanë marrë rrugën jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë. Nga sociologët, kjo po konsiderohet si dukuri shqetësuese, gjersa fajin kryesor për këtë ia lënë politikës.

Për çdo vit nga vendi më i varfër në rajon largohen afër 10 mijë banorë. Por, vitin e kaluar kjo shifër është rritur edhe më shumë.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përmbledhura në raportin “Vlerësimi i popullsisë 2017”, numri i atyre që e kanë lëshuar Kosovën gjatë vitit të kaluar është 11 mijë e 263 persona, shkruan Gazeta Express

“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2017 është vlerësuar të jetë gjithsej 11,263 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thotë raporti i ASK-së.

Pjesa më e madhe e atyre që u larguan nga Kosova për vitin 2017, ishin emigrantë legal. Ndërsa arsyeja e emigrimit ishte kryesisht për shkak të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtetet fqinjë), ose për studime afatgjata me punësim.

Po ashtu, gjatë vitit 2017 një numër i konsiderueshëm emigruan dukë kërkuar azil (aplikuesit për herë të parë) në vendet e BE-së përfshirë vendet e Asociacionit të Tregtisë së Lirë të Evropës (EFTA)-ës.

Përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-së një numër i kosovarëve kishte emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në SHBA, Kanada dhe vende tjera.

Por, përveç kosovarëve që lanë Kosovën e shkuan për të jetuar në vende të huaja, të tjerë ndërruan edhe qytetet ku banonin. Më shumë se 9 mijë banorë lëvizin prej një komune në tjetrën gjatë vitit të kaluar.

E arsyeja se pse këta banorë ndërruan vendbanimin është kryesisht trendi i martesave.

“Numri i personave që kanë ndërruar vendbanimin nga komuna e mëparshme (nga një komunë në komunë tjetër-brenda Kosovës) është vlerësuar të jetë gjithsej 9,376 banorë (bazuar në trendin e martesave, lëvizjet në periudhën 5 vjeçare: 2005-2010 të nxjerra nga baza e regjistrimit të popullsisë si dhe numrin e nxënëseve që kanë ndërruar komunën e vendbanimit rezident)”, theksohet në raportin e ASK-së.

Për dallim prej këtyre banorëve që udhëtuan drejt vendeve të huaja, rreth 5 mijë qytetarë të tjerë e zgjedhën Kosovën që të banonin. Numri i këtyre të fundit shkon deri në afro 6 mijë persona.

Në këtë numër përfshihet të kthyerit, azilkërkuesi dhe ata që janë me lejeqëndrimi.

“Imigrimi ndërkombëtar: sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), komuna, UNHCR, IOM dhe të dhënat nga disa komuna, numri i imigrantëve në Kosovë, gjatë vitit 2017 ishte gjithsej 5,832 banorë. Në këtë numër janë përfshirë të kthyerit / riatdhesuarit, numri i azilkërkuesve të Kosovës që kanë fituar të drejtën e nënshtetësisë, si dhe leje qëndrimet më shumë se një (1) vit qëndrimi në Kosovë”, thuhet tutje në raportin e ASK-së.

Nga sociologët numri i qytetarëve që kanë emigruar po konsiderohet si kogja i lartë.

Sociologu Besim Gollopeni i ka thënë Gazetës Express se arsyet kryesore se pse këta qytetarë po largohen nga Kosova janë gjendja e vështirë sociale dhe ekonomike, shkalla e lartë e korrupsionit, si dhe kërkimi i një jete më të mirë.

Gollopeni thotë se “meritat” kryesore për shkallën e lartë të emigracionit e ka klasa politike me “keq” udhëheqjen e vendit, por jo vetëm. Deklaron se një pjesë të përgjegjësisë e bart edhe vet populli.

“Kjo klasë politike arriti t’ia marrë (vjedhë) edhe shpresën e fundit qytetarit të saj se në këtë vend mund të ketë progres dhe perspektivë. Mirëpo, një fije përgjegjësie në këtë drejtim e mbart padyshim edhe vet populli. Për krejt këto vite, populli ka heshtur, ka qenë i pa interesuar dhe jo aktiv, ka heshtur karshi të këqijave që ju kanë kanosur, duke besuar se kjo situatë nuk është përgjegjësi e tyre dhe duke shikuar si zgjidhje të vetme të tyre emigracionin gjë që, kjo qasje është shumë e dëmshme dhe jo e favorshme për vet popullin”, ka thënë Gollpeni.

Ndërsa, për tu ndryshuar kjo gjendje, Gollopeni thotë se duhet bërë shumë punë.

Por, si punë e parë ai thotë se duhet që të kthehet shpresa e humbur e qytetarëve.

“Gjenerimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i kushteve të punës sot për sot është një kërkesë legjitime dhe fondamentale pa të cilën njeriu nuk mund të ketë mirëqenie të plotë. Pastaj, ngritja e cilësisë së arsimimit, shëndetësisë dhe fushave të tjera, luajnë një rol të rëndësishme në uljen e shkallës së migracionit ndërkombëtar”, tha Gollopeni për Express.

Ndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe bazuar edhe nga të dhënat që janë siguruar nga vendet e BE-së, tregojnë se numri i shtetasve kosovarë, të cilët janë zënë me qëndrim të paligjshëm brenda territorit të shteteve anëtare të BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2016 ishte 11,370 persona.

Kjo tregon një rënie të dukshme të numrit në krahasim me vitet e shkuara sidomos me vitin 2015 që ishte 52,310 persona. Ndërsa vendi ku numri më i madh i kosovarëve janë zënë duke qëndruar jashtligjshëm është Gjermania.
Shtuar më 25/08/2018, ora 17:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori