“Viktimizohen” policët, eprorët të paprekshëm
Lëvizja e Albin Kurtit nuk beson se organet e rendit do të kenë vullnetin për të ndërmarrë masa ndëshkimore ndaj të gjithë atyre eprorëve policorë që kanë urdhëruar përdorimin e dhunës mbi qindra qytetarë në protestën e 14 janarit në pikat kufitare Merdar dhe Dheu i Bardhë.

Madje, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi do t’i “viktimizojë” ca pjesëtarë të Policisë së Republikës së Kosovës, vetëm për t’i fshehur urdhërdhënësit, të cilët urdhëruan pjesëtarët e forcave elite policore që të përdorin forcë.

“Qeveria “Thaçi 2” është e interesuar që të dënojë vetëm ndonjë pjesëtar të policisë, sa për t’i fshehur urdhërdhënësit dhunues. Madje, kam frikën se ministri Rexhepi do të marrë masa disiplinore vetëm ndaj ndonjë polici, në mënyrë që kjo masë t’i shërbejë atij si justifikim se kinse ka ndërmarrë masa ligjore ndaj pjesëtarëve të uniformuar. Së pari duhet të dënohen eprorët, e pastaj policët, sepse ata janë që kanë urdhëruar ushtrimin e dhunës”, ka thënë për gazetën deputeti Rexhep Selimi.

Vetëvendosje, ka theksuar ai, do të ngrejë padi penale jo vetëm ndaj policëve, por fillimisht ndaj urdhërdhënësve, mbi të cilët pohoi Selimi, bie përgjegjësia për forcën që është ushtruar në aksionin për bllokimin e dy pikave kufi tare me Serbinë për çështjen e reciprocitetit me Serbinë, raporton Zeri.
Shtuar më 20/01/2012, ora 09:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori