Vijojnë tensionet në veri
veriun e Kosovës, tensionet vazhdojnë të mbeten të larta dhe të gjitha rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë po mbahen të bllokuara nga banorët serbë të cilët kundërshtojnë vendosjen e policëve dhe doganierëve dhe policisë së EULEX-it dhe të Kosovës në vendkalimet kufitare në atë zonë.

Beogradi i ka dërguar Bashkimit Evropian një plan për vendkalimet kufitare në të cilin parashikohet që të mos ketë prani të personelit shqiptar atje dhe duke kërkuar që çështja e vendkalimeve të jetë pjesë e raundit të ri të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Por kërkesat e tilla janë hedhur poshtë nga autoritetet e Kosovës.

Ndërkohë krisma të shumta dhe festime kanë përfshirë mbrëmë veriun e Mitrovicës pasi Serbia u shpall kampion Evrope në volejboll.

Serbët dolën rrugëve të festojnë, ndërsa mes shumë fishekzjarresh pati edhe krisma të shumtë automatikësh. Kjo ka ndikuar që situata në atë zonë të jetë mjaft e tensionuar.

Ndërkohë serbët e veriut të Kosovës duket se janë të vendosur që të mos lëvizin as një centimeter nga barrikadat që kanë bllokuar të gjitha rrugët që të çojnë në veri.

Shefi i delegacionit serb në bisedimet, Borko Stefanoviç, i cili po viziton shpesh veriun këto ditë, citohet të ketë deklaruar se dialogu është mënyra e vetme që të zgjidhet kriza.

“Kërkojmë mundësinë që sa më parë të përgjigjet ndaj kërkesës sonë për të diskutuar rreth pikave kalimtare në Jarinjë dhe Bërnjak”, ka thënë ai.
Shtuar më 19/09/2011, ora 08:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori