CHAMPIONS/ Klubet shqiptare do të luajnë nga një ndeshje, luhen në fund të gushtit

UEFA ka bërë të ditur sot se ka ndryshuar edhe sistemin se si do të ndërtohet faza kualifikuese e Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës 2020-2021, aty ku marrin pjesë që në raundin e parë klubet e Kategorisë Superiore. Për shkak të ngjeshjes së kalendareve si pasojë e pandemisë, është vendosur që të bëhet një ndryshim madhor.

Kështu, me përjashtim të play-off të Ligës së Kampioneve që do të luhet me sistem vajtje-ardhje, të gjitha raundet e tjera të të dy këtyre turneve, do të luhen vetëm me një ndeshje. Gjatë shortit të zakonshëm për të përcaktuar çiftet sipas vazove, do të hidhet një short edhe për të përcaktuar se cila nga skuadrat do të luajë në shtëpi dhe cila jashtë fushës së saj.

Me pak fjalë, skuadrat shqiptare do të duhet të kenë fat si në shortin për kundërshtarin për të peshkuar një rival jo shumë të fortë, ashtu edhe në atë për të përcaktuar se ku do të luajnë ndeshjen e tyre, brenda apo jashtë fushës. Për momentin, UEFA ka konfirmuar se në plan është që ndeshjet të luhen pa tifozë, por situata mund të ndryshojë deri në muajin gusht kur do të fillojnë këto aktivitete.

Në vijim, kalendari i plotë me datat e të dy turneve në raundet e tyre, përfshirë edhe fazën në grupe e cila është zhvendosur në tetor, nëntor dhe dhjetor:

UEFA CHAMPIONS LEAGUE 2020/21

Turi paraeliminator: 8 dhe 11 gusht
Turi i parë kualifikues: 18/19 gusht
Turi i dytë kualifikues: 25/26 gusht
Turi i tretë kualifikues: 15/16 shtator
Play-off: 22/23 dhe 29/30 shtator
Faza në grupe: 20/21 dhe 27/28 tetor, 3/4 dhe 24/25 nëntor, 1/2 dhe 8/9 dhjetor

UEFA EUROPA LEAGUE 2020/21

Turi paraeliminator: 20 gusht
Turi i parë kualifikues: 27 gusht
Turi i dytë kualifikues: 17 shtator
Turi i tretë kualifikues: 24 shtator
Play-off: 1 tetor

Faza në grupe: 22 dhe 29 tetor, 5 dhe 26 nëntor, 3 dhe 10 dhjetor

Nuk ka ndryshuar kalendari i fazës me eliminim direkt sa i përket pjesës së vitit 2021 të këtyre turneve, të paktën për momentin. Shorti i fazës në grupe të të dy turneve do të hidhet më datë 1 dhe 2 tetor në Athinë.


Shtuar 17.06.2020 15:44