Veton Surroi: Hashim Thaçi do të gjykohet nga Gjykata Speciale
Publicisti Veton Surroi e ka quajtur të paditur primitiv presidentin Hashim Thaçi, dhe se ka parashikuar arrestimin e tij nga Gjykata Speciale, dërsa Isa Mustafën e ka cilësuar si shpërfillës.

Në një intervistë për "Kohën Ditore", ai ka folur edhe për UÇK-në, duke thënë se disa prej udhëheqësve të luftës kishin kapur armët kundër Serbisë aq sa edhe kundër LDK-së. Ka gjykuar votuesit e PDK-së, duke thënë se 200 mijë njerëz pajtohen se krimi është i pranueshëm. Ka rikthyer tregime historike të kohës së Ramboullet, duke treguar për puçin e Sylejman Selimit.

Sipas tij, po të kishte konsensus të brendshëm, Kosova do të pranohej edhe në OKB.

Mirëpo, Surroi ka folur fjalë të mira për opozitën e Ramush Haradinajt, Albin Kurtit e Famir Limajt, duke thënë se opozita ishte mbresëlënëse për luftën që bëri në kundërshtim të Asociacionit e Demarkacionit.

"Dhe mu për këtë del të jetë shumë i nevojshëm konsensusi. Një Kryeministër i padijshëm dhe primitiv si Thaçi mund të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, por konsensusi do ta ruante edhe atë, e më me rëndësi, Kosovën nga pasojat e mosdijes e primitivizmit të tij. Një Kryeministër shpërfillës si Mustafa mund të nënshkruante diçka që konsideron vazhdimësi e Marrëveshjes së Thaçit, por konsensusi do ta ruante edhe atë, e më me rëndësi Kosovën nga pasojat e shpërfilljes", ka thënë Surroi, në gazetën.

Surroi, i cili para luftës kërkonte pjesëmarrje në zgjedhjet e Jugosllavisë dhe kundërshtonte politikën e LDK’së dhe te Rugovës, është marrë edhe me raportet e Presidentit aktual me Presidentin historik të Kosovës. Ka thënë se Rugova krijonte konsensusin pavarësisht se Thaçi e kishte quajtur kriminel.

"Hashim Thaçi disa herë e ofendoi shumë rëndë dr. Rugovën duke e quajtur kriminel, e shtëpinë e tij shtëpi të krimit, por Rugova vazhdoi ta përfshinte në "Ekipin e Unitetit" më bindjen se në fund duhet të fitojë konsensusi", ka shtuar ai.

"Thaçi do të gjykohet nga Specialja", ka deklaruar Surroi.

Veton Surroi, i cili kishte pasur raporte të mira me PDK’në dhe Hashim Thaçin edhe në kohën e pasluftës, ka parashikuar një përfundim të keq për Presidentin e Kosovës. Ka thënë se bazuar në gjetjet e Prokurorit Williamson, Thaçi do të përballet me akuza nga Gjykata Speciale.

"Nëse Gjykata vepron sipas verifikimit të bërë nga Prokurori i Veçantë Williamson, atëherë ka mbështetje të madhe supozimi se i arrestuar nga Gjykata mund të jetë edhe Kryetari i tanishëm i Kosovës, Thaçi", ka parashikuar Surroi. /albeu.com/

Shtuar më 02/10/2016, ora 17:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori