Vetëvendosje përmbysin maunet serbe
Pëlqej
Lëvizja Vetëvendosje është hedhur sot sërish në aksion kundër hyrjes së maunave me mallra nga Serbia. Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër Vetëvendosje ka njoftuar se ka organizuar aksion të ri kundër maunave serbe në afërsi të fshatit Lupç, magjistralja Prishtinë- Podujevë.

Me këtë rast sipas njoftimit është rrotulluar një maune serbe dhe është asgjësuar malli.

Kjo është hera e dytë që Vetëvendosje organizon një aksion të tillë, derisa herën e parë ishin arrestuar dy persona por më pas ishin liruar.

Në aksionin e parë ishte konfirmuar se prezent kanë qenë edhe deputet ndërsa Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi pat paralajmëruar se nëse vërtetohet që ka pasur deputet aty ata do të arrestohen. Deri tash nuk raportohet për të arrestuar.


"Sot, më 5 tetor, në ora 14.45, në magjistralen Besianë Prishtinë, afër fshatit Lupç, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! rrotulluan sërish një maune me mallra të Serbisë, me tabela të Serbisë, të ngarkuar me materiale ndërtimore.

Kjo Qeveri e cila po i toleron strukturat ilegale te Serbisë, po i vazhdon negociatat pa kushte me një shtet armik, i cili nuk na njeh ekzistencën, për më tepër ka edhe gadishmërinë për të hyrë në dialog politik me Serbinë, nuk ka as vullnet e as qëllim t’i mbrojë interesat e popullit e të vendit.

Qeveria e Kosovës nuk po e mbron interesin e shtetit dhe të popullit të Kosovës, për më keq po i lejon mallrat e Serbisë ta vërshojnë tregun e Kosovës e ta mbysin prodhimin vendor.

Bilanci tregtar në raport me Serbinë që nga data 16 shtator është mbi 2000 maune me mallra serbe, me 40 maune me mallra të Kosovës, të shantazhuar të përdorin dokumentet e strukturave ilegale serbe në Kosovë.

Në një situatë të tillë, qytetarët dhe subjektet politike janë të detyruar të mbrojnë interesin politik dhe ekonomik të vendit. Në mungesë të veprimeve nga ana e intitucioneve të Kosovës, ne do t’i vazhdojmë aksionet tona politike, kundër të gjitha veprimeve në dëm të ekonomisë dhe shtetit", thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.
Shtuar më 06/10/2011, ora 15:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori