Vetëvendosje: Serbia po ndërhyn në Kosovë, me leje të Thaçit
Hashim Thaçi ia lejoi Serbisë që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë. Kjo marrëveshje e mori formën e vet përfundimtare mbrëmë në takimin mes Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorit të tij Ivica Daçiç. Ky është qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila thotë se kjo nuk është një marrëdhënie mes shtetesh sovrane.

Në deklaratën për shtyp, thuhet se marrëveshja antishtetërore dhe antikushtetuese e 19 prillit përfundimisht i hapi rrugë formalizimit dhe legalizimit të pranisë ekzekutive të Serbisë në Kosovë. “Kjo prani e shndërroi Serbinë në faktor vendimmarrës në çështjet politike e ekonomike të Kosovës, duke dyzuar kështu sovranitetin mes Kosovës dhe Serbisë. Asnjë vendim politik e institucional i Kosovës, që prej asaj marrëveshjeje, nuk mund të bëhet fuqiplotë pa qenë njëkohësisht i pranueshëm për Serbinë”,-vazhdon më tej deklarata.

Thaçi akuzohet se po lejon Beogradin të bëjë si të dojë në Kosovë. “Ky kthim i Serbisë në Kosovë nuk ndodhi rastësisht. Ai po ndodh nën patronatin dhe mbikëqyrjen rigoroze të Hashim Thaçit. Por, edhe me pranimin aktiv të AKR-së si partner koalicioni dhe të LDK-së e AAK-së, si parti kinse opozitare. Përgjegjësia politike e ligjore bie mbi Hashim Thaçin, e Qeverinë e tij, por edhe mbi të gjithë ata deputetë e ato subjekte politike në Kuvend të cilat vendosën që të shkelin çfarëdo ligji, dokumenti, përfshirë Kushtetutën e Republikës, që t’ia hapin dyert e ta fusin Serbinë brenda duke e bërë atë hisedare në Kosovë”,-përfundon njoftimi për shtyp i Lëvizjes Vetëvendosje. /albeu.com/


Shtuar më 08/10/2013, ora 15:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori