Vetëvendosje: Raporti joserioz i ministrit Rexhepi

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Rexhep Selimi mbajtën sot një konferencë për media në lidhje me gjendjen e sigurisë në veri.
Sipas Vetëvendosjes raporti i ministrit të brendshëm Bajram Rexhepi për zhvillimet e 25 e 26 korrikut 2011 është joserioz dhe i dobët.
“Në raportin e këtij ministri për Komisionin përkatës parlamentar, në fjalinë e parë thuhet që “Ky raport prezanton zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës dhe ofron fakte të sulmeve kriminale në atë pjesë të Kosovës të cilat janë të instrumentalizuara dhe sponsorizuar nga ana e Qeverisë zyrtare të Beogradit.” Pra, kemi përkushtim në mbledhje të fakteve, jo të veprimit, strategjik, operacional e konkret”, thuhet në një deklaratë të Vetëvendosjes.

“Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së, të mbajtur me 12 shtator, Bajram Rexhepi thotë që “Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës është respektuar reciprociteti, siç e dimë në pikat 1 dhe 31 nuk është respektuar për shkak të situatës që ka qenë atje, ku as ne dhe as EULEX-i nuk kanë qenë të gatshëm të futen në aksion, për këtë operacion është vendosur brenda ditës dhe u arrit qëllimi i atij aksioni për marrjen e pikave kufitare 1 dhe 31 dhe të vendoset funksionimi i policisë dhe i doganiereve në ato pika, ku është bërë edhe marrëveshja me KFOR-in që ata ta kryejnë punën deri më 16 shtator.” Më tutje, thotë që “2 orë ka qenë organizimi i operacionit dhe mbledhja e njësisë ROSU, sepse kjo njësi është e shpërndarë në të gjitha rajonet dhe kjo është një arsye që s’kanë mundur të pajisen aq shumë për kryerjen e operacionit.” Pra, për aksionin është vendosur brenda ditës dhe konsiderohet që është arritur qëllimi. Kjo do të thotë që ky ministër nuk kishte për qëllim më shumë se kjo që ka ndodhur. Aq më tepër për shkak se thuhet që “Çalim të operacionit ka pasur, por duhet të theksojmë se ka qenë një operacion i organizuar shpejt, por që ia kemi arritur cakun dhe qëllimin tone””, thuhet më tej në deklaratë.
Qysh në shtator të vitit 2008, pra para më shumë se tri vjetëve, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një propozim me disa hapa të bashkërenduar për ta bërë Kosovën shtet sovran e me integritet territorial.
“Serbët do të mund të integroheshin në Kosovë, duke pasur parasysh që integrimi ndodh jo pse integrimi është dëshirë por pse integrimi është nevojë. Serbia po përpiqet me të gjitha mënyrat që serbëve t’ua bëjë të panevojshme integrimin në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Para çfarëdo joshje të serbëve të Kosovës duhet që paraprakisht të ndërpritet ndikimi i Serbisë”, përfundon deklarata e Vetëvendosjes. /albeu.com/

Shtuar më 03/10/2011, ora 15:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori