Vetëvendosje: Protesta e ardhshme më 22 janar
Nëse Qeveria e Kosovës nuk nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje pas një jave do të organizojë një protestë tjetër për bllokimin e dy pikave kufitare.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, në një konferencë për media, të dielën, ka bërë të ditur se nëse nuk nis zbatimi i reciprocitetit, kjo lëvizje do të organizojë një protestë të re, të dielën e ardhshme, më 22 janar,raporton Zeri.

Ahmeti po ashtu ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka zgjedhur të mbrojë Serbinë para popullit të saj. Politika e Qeverisë së Kosovës, siç tha ai, është policore dhe kjo gjë po e bën policinë e Kosovës politike.

“Policia e Kosovës po iu bindet urdhrave politikë të kryeministrit Thaçi dhe ministrit të Brendshëm Rexhepi në kundërshtim me ligjin. U thirrën në liri të lëvizjes, mirëpo në mënyrë të trefishtë vetë Policia e Kosovës e bllokoi lirinë e lëvizjes: në kufirin me Republikën e Shqipërisë, me post blloqe të shumta dhe me mbylljen e rrugës në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Ky ishte sulm ndaj opozitës dhe ndaj demokracisë", tha ai.
Shtuar më 15/01/2012, ora 16:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori