"Vetëvendosje" prezantoi Ismajl Kurteshin për Gjilanin
Pëlqej
Ismajl Kurteshi
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubimin elektoral në Gjilan ku prezantoi kandidatët e vetë si dhe Alternativën Qeverisëse, alternativë kjo përmes së cilës kryetari i ardhshëm i Komunës, Ismajl Kurteshi, bashkë me asambleistët dhe qytetarët e Gjilanit, do ta ndryshojnë komunën së bashku.

Tubimin e hapi kandidati për Kryetar të Komunë së Gjilanit, Ismajl Kurteshi. Ai mes tjerash tha se Gjilani, dikur me rreth 140.000 banorë, e me 515 km. katror, si rezultat i qeverisjes së papërgjegjshme të pushteteve të kaluara është rrudhur në vetëm 391 km katror dhe në 94.000 banorë. “Gjilani, i shumë fabrikave ku punonin rreth 17.000 punëtorë e i tokës pjellore është shndërruar në qytet të kafeterive e supermarketeve dhe tokës së djerr. Gjilani edhe pse ka potencial ekonomik, ka mbetur njëri nga qytetet më të varfrat në Kosovë. Kjo ka ndodhur për shkakun se pushtetet e gjertanishme, nuk ia kanë kushtuar rëndësinë që e meriton Gjilani, si qendër regjionale e Anamoravës e më gjerë”, tha Kurteshi. Ai prezantoi në pika të shkurtra Alternativën Qeverisëse të VETËVENDOSJE!-s për Gjilan, për qytetin ku me VETËVENDOSJE!-n puna shpërblehet, ndërsa mospuna ndëshkohet; puna ofrohet sepse meritohet e jo sepse ke familjarë me fuqi. “Me VETVENDOSJE!-n, komuna do t’u vihet në shërbim qytetarëve, do tu jepet fund të këqijave që po na e zënë frymën, do të fillon zhvillimi ekonomik, përmes prodhimit vendor do të krijohen mundësi për punë”, tha Kurteshi.

Kandidatja për Kuvendin Komunal, Besa Baftiu, tha se VETËVENDOSJE! angazhohet për një rend të ri shoqëror, që është i pranueshëm për shtresat e gjera të popullsisë, e që synon respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtat qytetare, drejtësinë shoqërore për të gjithë qytetarët e Kosovës pa bërë diskriminimin e askujt. Të drejtat e njeriut janë të drejta të të gjithëve dhe të drejta të gruas. Lëvizja VETËVENDOSJE!, në fillim cilësohej si Lëvizje e djemve, por ajo shumë shpejtë u përqafua nga vajzat dhe gratë. Madje, sot, Lëvizja VETËVENDOSJE!, në strukturën e saj, qoftë për asambleiste, qoftë për kryesinë e Qendrës së Lëvizjes, ka shumë emra të rëndësishëm të gruas aktiviste dhe gruaja është pjesë e strukturave më të larta të vendimmarrjes”, tha Baftiu, duke shtuar se Lëvizja asnjëherë nuk ka synuar vetëm emancipimin dhe barazinë politike dhe qytetare për një kategori të caktuar shoqërore e gjinore, por gjithmonë në konceptin e saj, njeriu dhe njerëzorja janë mbi identitetet gjinore.

Pas saj, fjalën e mori bartsi i listës së VETËVENDOSJE!-s për Kuvendin Komunal, Nevzad Isufi. Ai tha se Lëvizja VETËVENOSJE! gjithnjë e më tepër po bëhet një Lëvizje gjithëqytetare, synim ky që po dëshmohet edhe me prezencën tuaj mjaft qartë edhe sot. “Siç është e njohur edhe juve, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjithmonë gjërat i merr me seriozitetin e duhur dhe mbi bazën e këtij serioziteti i është qasur dhe do t’i qaset edhe garës për të shënuar fitore edhe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, me bindje, vendosmëri e përkushtim, se Gjilanit dhe qytetarëve të saj do t’u dalë në ndihmë dhe do t’u vihet në shërbim me gjithë qenien e saj, për t’ju bërë juve dhe të gjithë qytetarëve tjerë, të dilni nga zhgënjimi i thellë drejt shpresës për ndryshime të mëdha dhe një oferte që ofron qeverisje të ndershme dhe profesionale, për të gjithë qytetarët, për të gjitha moshat dhe kategoritë; për të gjitha vendbanimet, qoftë për fshatra apo lagje të qytetit”, theksoi Isufi. Në fund të fjalës së tij, ai prezantoi me radhë të gjithë kandidatët për Kuvendin Komunal të Gjilanit, dhe u bëri thirrje qytetarëve që ta votojnë VETËVENDOSJE!-n, në mënyrë që ta ndryshojmë së bashku Gjilanin.

Në fund të këtij tubimi fjala ishte për Kryetarin e VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurtin. Ai tha se sikurse gjithandej nëpër Kosovë, edhe në Gjilan, të korruptuarit janë bashkë. “Gjilani, në njërën anë e ka të keqen dhe të kaluarën, në anën tjetër e ka të mirën dhe të ardhmen. Njëri prej kandidatëve e ka pranuar dhe miratuar në pazaret e Vjenës decentralizimin dhe gjymtimin e Gjilanit, kurse kandidati tjetër e ka zbatuar këtë gjymtim të territorit të Gjilanit me ç’rast çereku i hapësirës së gjilanasve është tjetërsuar. Pra, këta janë bashkë. Në kontrast të thellë, në kundërthënie e antagonizëm, i keni këta dy kandidatë, me Ismajl Kurteshin, i çili gjithmonë e ka kundërshtuar decentralizimin”, tha Kurti. Në fund të fjalës së tij, ai u bëri thirrje gjilanasve që të organizohen me VETËVENDOSJE!-n: “Ju ftoj që jo vetëm në javët dhe ditët në vijim, por edhe orët në vijim, deri me 3 nëntor e edhe pas nëntorit, le të jemi bashkë, duke punuar bashkë, dhe me 3 nëntor t’i ftojmë qytetarët e Gjilanit në fitoren e madhe të Gjilanit, në festën tonë të përbashkët, atëherë kur VETËVENDOSJE! dhe Ismajl Kurteshi përfundimisht do të ngadhënjejnë për hir të Gjilanit për hir të gjilanasve”, tha Kurti në fund të fjalës së tij. /albeu.com/
Shtuar më 04/10/2013, ora 20:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori