Vetëvendosje paralajmëron padi për policinë
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar padi ndaj oficerëve dhe policëve të cilët më 14 janar ushtruan dhunë ndaj protestuesve.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka paralajmëruar se kjo lëvizje do t’i padisë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët në protestën e së shtunës përdorën dhunë të tepruar.

“Vetëvendosje do të padis të gjithë policët dhe oficerët që kanë ushtruar dhunë të tepruar ndaj protestuesve. Në bazë të fjalimit të kryeministrit Hashim Thaçit, ministrit të Punëve të Brendshme Bajram Rexhepit dhe zëdhënësit të Policisë së Kosovës Baki Kelanit ne kemi kuptuar që ata kanë qenë të gatshëm edhe të na vrasin”, ka deklaruar Selimi në një konferencë për media.

Sipas Selimit në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka pasur grupe jo formale të cilët kanë qenë të gatshëm të ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve.

Duke aluduar në thirrjen e kreu të Kuvendit që i ka bërë thirrje presidentes për të biseduar me partitë politike, lidhur me situatën e krijuar, Selimi ka thënë se Vetëvendosje nuk do të negociojë me askënd për të lejuar hyrjen e mallrave serbe, njofton Info Globi.

“Nuk do të negociojmë me hy mallrat serbe. Vetëm nëse qeveria merr vendimin për zbatimin e reciprociteti ne do ta anulojmë protestën e 22 janarit”, ka pohuar Selimi.
Shtuar më 17/01/2012, ora 15:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori