Vetëvendosje në qorrsokak, vetëm pajtimi i shpëton
Koment nga Ervin Shkulaku

Lëvizja Vetëvendosje po i çudit të gjithë pasi ka kohë ka hyrë në një qorrsokak e që edhe ata vetë nuk po dinë se si të veprojnë.

Pas dorëheqjeve të shumta dhe ndarjen joformale në dy kampe të dyja kanë rënë në një heshtje misterioze dhe herë pas herë me një dorë i hedhin gurë njëri-tjetrit por që menjëherë përpiqen ta fshehin me dorën tjetër.

Kështu ndodhi e sot kur shumë asambleistë që publikisht thurin elozhe për Albin Kurtin nuk e votuan raportin e drejtorit të Shpend Ahmetit në Komunën e Prishtinës.

Por, edhe disa ditë më herët një emision televiziv i pazakontë është publikuar në një televizion kombëtar.

Dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dolën përpara një moderatori me misionin e vetëm, të sulmonin njëri-tjetrin. Ky rast ndoshta mund të jetë unik në të gjitha partitë shqiptare që deputetët e një partie të zihen me njëri-tjetrin

E ndërsa pritet një ndarje që do të jetë shkatërrimtare më shumë për të pakënaqurit ajo nuk po ndodh. Derisa u duk se kishte një plan të mirëfilltë për largimin nga partia cdo ditë e më shumë faktet po tregojnë që nuk ka pasur një plan nga të pakënaqurit dhe tashmë të dyja palët kanë hyrë në një qorrsokak që vetëm një prapakthim mund t'i shpëtojë nga kjo dramë.

Një pajtim, kjo mund të jetë zgjidhja e vetme e Vetëvendosjes në këtë vorbull sharjesh e ofendimesh por që normalisht duhen edhe disa dënime politike për disa persona.

Edhe pse duket utopike në thelb nuk është e tillë pasi deri në këto momente nuk ka pasur ndonjë krizë të thellë por vetëm disa sharje që fundja janë normale në politikë. Nuk ka nevojë që të merren për zemër sic i merr Fisnik Ismaili komentet në Facebook pasi janë vetëm komente.

Bisedat virtuele janë të rëndësishme deri në kornizat e virtuales dhe nuk përkojnë me realitetin, të paktën në Kosovë jo.

E që të arrihet ky pajtim, atëherë të dyja kampet duhet të sakrifikojnë, si shembull Albin Kurti të pranohet si kryetar ndërsa ky i fundit të largojë, nëse ka ekstrmistë të majtë dhe nëse ka ekstremistë islamikë.

Fundja të pakënaqurit e dinë shumë mirë që nuk mund të jetë vetëm Albin Kurti "Babë" i një partie, pasi të gjithë liderët e partive këtu "Babë" janë. Pse kush mund t'i ngrejë krye në AAK, Ramush Haradinajt ose në PDK, Kadri Veselit etj.

Kurse, ekstremizmi i majtë ose Komunizmi është një ideologji e mundur dhe dështake dhe Albin Kurti këtë duhet ta dijë më së miri. Të gjitha ideologjitë komuniste dështuan në shtetet që i kishin ndërsa njeriu që sot komunistët e mbajnë si një ikonë "Che Guevara" e la luftën përgjysmë duke u tërhequr në momentin që duhet të niste një luftë të re, atë të qeverisjes.

Prandaj, ja një zgjidhje me pajtim ja një ndarje me vetfundosje./albeu.com/
Shtuar më 07/03/2018, ora 16:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori