"Vetëvendosje" i përgjigjet Rektoratit të UP-së
Pëlqej
Vetëvendosje
Rikujtojmë që hapësira universitare është publike dhe çdo qytetar i Kosovës, aq më shumë studentët kanë të drejtë të lëvizin lirisht në këto hapësira. Ne do të jemi gjithmonë aty për t’u siguruar që hapësira universitare është plotësisht publike. Protesta po ashtu është një e drejtë legjitime e çdo qytetari, e aq më tepër e çdo studenti.

Universiteti është i studentëve e ai nuk mund të reduktohet tek “përfaqësuesit” e studentëve, siç i quani ju. Çdo student vlen njësoj, si rrjedhim secili student është i aftë e legjitim të ngrejë zërin për problemet e universitetit.

I ashtuquajturi Parlament Studentor nuk na përfaqëson ne, ata janë zgjatim administrativ, i cili s’ka të bëjë me Universitetin. Ata janë aty për të mbuluar defektin, parregullsitë dhe padrejtësitë tuaja.

E sa për paanësinë e administratës së Universitetit në raport me subjektet politike, është mirë që Rektori të japë menjëherë dorëheqjen, sepse është zyrtar i PDK-së (i gjithë opinioni e di se si ai u zgjodh në këtë detyrë).

Për dallim prej jush, që kërkoni nga studentët të mos ndërhyjnë në procesin e mësimit dhe punës në UP, ne i bëjmë thirrje të gjithë studentëve që të ndërhyjnë në procesin e mësimit i cili është degraduar së tepërmi, e sidomos të ndërhyjnë në punët tuaja të mbrapshta që e sollën UP-në në gjendje kaq të rëndë.
Shtuar më 25/11/2010, ora 20:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori