Vetëvendosja nis peticion për zgjedhje të reja
Sekretarja organizative e Vetëvendosjes, Vlora Haxhimehmedi para mediave tha verdikti i Kushtetueses tregoi se të tjerët duan ta grabisin pushtetin kundër votës së qartë të qytetarëve.

Ajo bëri të ditur se peticioni do të jetë online, dhe kërkesa e vetme në të do të jetë organizimi i zgjedhjeve të reja.

"Duan ta grabitin pushtetin përkundër votës së qartë të qytetarëve. Për këtë veprim ata arritën të marrin edhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë ka zgjedhur anën e gabuar të drejtësisë. Mirëpo, çka tjetër mund të prisnim nga një gjykatë, e cila është e kapur nga PLAN-i. Për të mbrojtur vlerat demokratike, ne do të nisim një peticion ku do të kërkojmë zgjedhje. Peticionin do ta kemi online. Zgjedhjet, janë zgjidhje e krizës politike. Zgjedhjet janë parësore dhe demokratike. Peticioni do të jetë i stërmadh. Nuk e lejojmë shkeljen e demokracisë e të popullit, nuk ka demokraci pa zgjedhje", tha ajo.

Ndërkaq, deputeti i VV-së, Liburn Aliu sa i përket rezistencës së VV-së tha se pjesë e veprimeve të kësaj rezistence do të jetë peticioni.

Ai tha se për aktivitetet politike, qytetarët do të njoftohen me kohë.

Ali po ashtu tha se VV edhe në seancën për formimin e qeverisë do ta tentojë ta ndalojë mbajtjen e saj.

"VV do të jetë kundër qeverisë, mënyra se si do ta shprehim atë, do të shihet në seancë, nëse ajo do të mbahet", tha Aliu.
Shtuar më 30/05/2020, ora 21:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori