Vetëvendosja: Kosova të ketë të drejtë t'i bashkohet Shqipërisë
Albin Kurti
Lëvizja "Vetëvendosje" shpalosi të premten programin e saj politik, në të cilin shprehet angazhimi për heqjen e nenit 1.3 të Kushtetutës së Kosovës. Me këtë nen i ndalohet Kosovës që të bashkohet me një shtet tjetër, përkatësisht me Shqipërinë. Lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti ka thënë se "Vetëvendosje" angazhohet që populli i Kosovës ta ketë të drejtën e vetëvendosjes edhe në aspektin e brendshëm, e edhe në aspektin e jashtëm të saj.

"Aspekti i brendshëm i të drejtës për vetëvendosje nënkupton që ne duhet të kemi institucione sovrane demokratike që nuk kanë instanca ekzekutive arbitrare mbi veten e tyre, që dalin nga populli dhe i japin llogari atij. Por, njëkohësisht kjo nënkupton që ne vetë duhet t'i kontrollojmë resurset tona natyrore dhe kapacitetet zhvillimore të cilat duhet të vihen në funksion të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës", ka thënë Kurti para një numri të madh aktivistësh dhe anëtarësh të "Vetëvendosjes".

"Aspekti i jashtëm i së drejtës për vetëvendosje nënkupton që Kosova duhet ta ketë të drejtën e vet për ushtri, si kapacitet mbrojtës për popullin e saj dhe Kosova duhet ta ketë të drejtën që t'i bashkohet Shqipërisë".
Programi 100-pikësh është i mbështetur në shtyllën e shtetndërtimit dhe atë të zhvillimit ekonomik. Por, ani se është kështu, në sallën ku është promovuar ky program, nuk janë parë simbolet zyrtare, me të cilat identifikohet aktualisht shteti. (albeu.com)
Shtuar më 30/10/2010, ora 10:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori