Vetëm serbët e veriut të kënaqur me Zyrën Administrative
Shqiptarët shprehin ankesa të ndryshme në lidhje me funksionimin e Zyrës Administrative në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa serbët e veriut duket se nuk kanë ankesa të tilla.

Përball ankesave të shqiptarëve ka reaguar drejtoresha e zyrës Adriana Hodzic, duke iu kundërprëgjigjur ankesave të shumta për funksionimin e kësaj zyre.

Sipas saj, zyra administrative nuk është organizatë humanitare, por është zyrë civile e cila i shërben të gjithë qytetarëve të pjesës verore.

“Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë sociale të disa familjeve në veri. Për këtë arsye, pas kërkesave të shumta, me anë të disa projekteve më shumë se 90 familje i kemi ndihmuar me ushqime dhe veshmbathje”, thote Hodzic per Top Channel.

Numri i serbëve që janë pajisur me dokumente kosovare nga kjo zyrë ka arritur në 3 mijë e 974, ndërsa 1 mijë e 359 janë shqiptarë, 429 boshnjakë etj.

Milutin Mitrovic, qytetar i Mitrovicës, shprehet: “E mora certifikatën e lindjes dhe nënshtetësinë e Kosovës. Unë jam nga Banja dhe erdha t’i marr këto dokumente pasi më takon pensioni prej 60 eurosh. Tani jetoj në pjesën veriore dhe nuk kemi ndonjë problem. Më herët kishte aq shumë probleme sa nuk mund as ta përshkruaj, por falë Zotit tani është shumë më mirë”.

“Numri më i ulët i aplikuesve shqiptarë nuk do të thotë që shqiptarët nuk e duan këtë shërbim. Kjo e tregon edhe një fakt që shumica e banorëve në pjesën veriore janë serbë. Kemi pasur ankesa edhe për numrin e punonjësve serbë, por unë them se është normale që shërbimi ndaj këtyre qytetarëve të bëhet nga punonjësit e komunitetit të tyre, ashtu siç ndodh në Prishtinë, Prizren etj.”, shton Adrijana Hodzic.

Ajo shpjegon se numri i të punësuarve është 54, ndërkohë që rreth 70% e tyre janë të komunitetit serb. Hodzic thotë se kjo zgjedhje është bërë në bazë të numrit të popullsisë shumicë në veri.

Teksa zgjedhjet lokale po afrohen ende nuk dihet nëse do të votojnë qytetarët e veriut të Mitrovicës. Zyra administrative ende nuk ka marrë asnjë rekomandim nga qeveria lidhur me këtë çështje. /albeu.com/
Shtuar më 16/05/2013, ora 11:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori