Vetëm këto lloj operacione bëhen në QKUK
Prokuroria e Shtetit po i vazhdon hetimet në lidhje me rastet e vdekjeve të cilësuara si të dyshimta në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ndërkohë që nga data 7 shtator kur edhe ndodhën këto vdekje, në bllokun e klinikave Kirurgjike në QKUK janë pezulluar operacionet.

Janë bërë afro dy javë prej se sallat operative të Klinikës së Kirurgjisë nuk po kryejnë operacione. Kjo për shkak të vdekjeve të dyshimta të tre pacientëve të cilët kanë ndërruar jetë ditë më parë në këto salla.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me mosfunksionimin e këtyre sallave.

“Ende nuk i kemi lëshuar sallat operative të Kirurgjisë. Mund të them që sallat tjera punojnë në ortopedi, gjinekologji, emergjenca, etj. Ato që nuk funksionojnë janë operacionet e ftohta ose ato që mund të presin dhe të gjitha ato që lidhen me bllokun operativ”, pat thënë Gjocaj dy ditë më parë për mediat.

Ndërkohë organet e hetuesisë ende nuk e kanë bërë të ditur shkaktarin për vdekjen e tre pacientëve të cilët ndërruan jetë javë më parë në sallat operative të klinikave të QKUK’së. Prokuroria po i vazhdon hetimet.

Ndërkaq, drejtuesit e QKUK’së pas rastit të këtyre vdekjeve kanë vendosur që ta bëjnë sterilizimin, deratizimin dhe dezinfektimi e të gjitha sallave operative të bllokut të kirurgjisë./express
Shtuar më 20/09/2017, ora 13:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori