Veseli: Pavarësia e Malit të Zi i ka hapur rrugë Kosovës
Kadri Veseli
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka uruar Malin e Zi për 10-vjetorin e pavarësisë nga ish-Jugosllavia.

Veseli ka deklaruar se pavarësia e Malit të Zi i ka hapur rrugë Kosovës, duke e përfunduar nostalgjinë për një rimëkëmbje të federatës jugosllave.

“Po ashtu i hapi rrugën edhe pavarësisë së Kosovës duke shuar çdo nostalgji apo iluzion ndërkombëtar për një rimëkëmbje të ndonjë federate jugosllave. Me njohjen që i ka bërë Kosovës dhe me mbështetjen që na ka dhënë në çdo nismë ndërkombëtare, Mali i Zi është dëshmuar një aleat i palëkundur yni.”

Më tej ai ka thënë se rol vendimtar në pavarësinë e Malit të Zi ka pasur populli shqiptar që jeton në ato treva, duke shtuar se çdo hap përpara në përmirësim i jetës dhe të drejtave të bashkombasve shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre në këtë shtet, do të thotë progres për popullin mik malazez si dhe do të thotë që mbarë rajoni është më i paqtë dhe i begatë.

Populli shqiptar në Malin e Zi luajti një rol vendimtar sepse e mbështeti njëzëri referendumin për Pavarësinë e Republikës së Malit të Zi duke dëshmuar se ka përqafuar vlerat më të mira evropiane të dialogut dhe konstruktivitetit. Krijimi i shtetit të ri të pavarur të Malit të Zi ka kontribuar në krijimin e frymës së fqinjësisë së mirë në Ballkan dhe në përshpejtimin e demokratizimit dhe integrimit euro-atlantik të mbarë rajonit tonë”, ka shkruar Veseli, duke përshëndetur edhe procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO./Albeu.com/
Shtuar më 21/05/2016, ora 15:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori