Veseli i kërkon Qeverisë zgjidhje për Trepçën
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i ka bërë thirrje Qeverisë që të gjendet një zgjidhje përfundimtare për Trepçën. Këtë kërkesë e ka bërë në tryezën e punës “Ecuritë në transformimin e Trepçës”, në të cilën morën pjesë drejtues të tjerë të lartë të institucioneve, Kryeministri Mustafa, ministra, deputetë të Kuvendit, ekspertë të njohur vendorë e ndërkombëtarë.

“Trepça përfundimisht do zgjidhje, të favorshme dhe të mbështetur në interesat e shtetit dhe qytetarëve tanë. Eksploatimi i minierave të Trepçës duhet t'i kthehet si vlerë me ndihmen e institucioneve tona, investitorëve privat duke marrë parasysh interesin e punëtorëve, ambientit dhe buxhetit të shtetit. Ne kemi për obligim ta funksionalizojmë këtë gjigant të ekonomisë së Kosovës”, ka deklaruar Veseli.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria të bëjë hapa ligjor konkret për të ringjallur Trepçën.

“Edhe ashtu kreditori me i madh në Trepçë është Qeveria e Kosovës dhe punëtorët e saj. Të tjerat do të duhet trajtuar me kujdesin më të madh, meqenëse kanë qenë në kohë të errëta dhe me shumë dilema të ndërlidhura me regjimin e Milosheviqit. Prandaj, na duhet një ekip më i mirë i ekspertëve ligjorë për ta mbrojtur kauzën tonë. Kështu që, në këtë strategji ne duhet të mendojmë urgjentisht për këtë punë. Në fakt, ndoshta do të duhej të ngrejmë padi për dëmet që i janë shkaktuar Trepçës dhe mjedisit përreth”, tha kryetari Veseli./Albeu.com/
Shtuar më 04/06/2016, ora 11:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori