Veseli e pranon se opozita nuk e përfilli
Asnjë nga partitë opozitare nuk ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës për të arritur një konsensus për dialogun me shtetin serb.

Pas takimit që është mbajtur mes partive pjesë e koalicionit qeverisës, Veseli ka thënë se takimi është zhvilluar vetëm nga partnerët e koalicionit qeverisës.

"Sot ne patëm një takim që ka të bëjë me arritjen e konsensusit në procesin e ardhshëm që e prek Kosovën, dialogun. Takimin e sotëm kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës, kanë qenë prezent vetëm partnerët e koalicionit qeverisës", tha ai.

Veseli tha se nuk është privilegj të ulesh në një tavolinë me Serbinë, por është sakrificë politike.

"Nevoja e reflektimi, nevoja e akumulimit të një qëndrimi politik qoftë për populizëm është legjitime e opozitës. Me Serbinë të ulesh sot nuk është privilegj, është sakrificë në të njëjtën kohë përgjegjësi. Arritja e paqes për fëmijët është përgjegjësi e të gjithëve. Mesazhi që sot do të duhej ta përçonim do të ishte konsensusi i të gjithëve", tha Veseli.
Shtuar më 23/07/2018, ora 11:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori