Veseli: 70.5 mln euro të IPA-s, ndihmesë e madhe për Kosovën
Kryetari i Kuvendit të RepublikësKosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson, me të cilën diskutoi për agjendën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen që Bashkimi Evropian po i jep Kosovës në këtë proces.

Kryeparlamentari Veseli tha se Bashkimi Evropian mbetet prioritet strategjik i RepublikësKosovës. Ai tha se qytetarët e Kosovës janë evropianë dhe përpjekjet integruese të institucioneve të vendit do të vazhdojnë pareshtur.

“Kemi shumë sfida, por si institucione të RepublikësKosovës jemi të vendosur të ecim përpara në procesin e reformave”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se fondet e IPA-s, në vlerë mbi 70 milionë euro, do jenë të fokusuara në inovacion, sistem të drejtësisë, arsim e në fusha të tjera dhe do të jenë një ndihmesë e madhe për Kosovën në proceset e saj zhvillimore dhe euro-integruese.

Veseli u shpreh i bindur se Kuvendi do të miratojë projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshejeje, duke i hapur rrugë funksionalizimin të kësaj mbështetjeje.

Kreu i Kuvendit tha se Kosova është krenare që e ka BE-në në krah dhe bashkë me të do të ecë drejt rrugës së integrimit.

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Danielsson, nga ana e tij, tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës dhe njerëzve të saj.

Danielsson tha se mbështetja e BE-së për Kosovën do të jetë konkrete, nëpërmjet fondeve, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e saj.​
Shtuar më 04/10/2017, ora 10:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori