Veriu mund të destabilizojë rajonin
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka shprehur shqetësimin se zhvillimet në Veri të Kosovës mund të destabilizojnë tërë Ballkanin.
Në raportin e tij tremujor, të cilin e ka siguruar portali KosovaTimes dhe që u është dërguar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, përshkruhen në mënyrë kronologjike ngjarjet në veri të vendit tonë. Një pjesë të konsiderueshme të raportit shefi i OKB-së ia ka kushtuar edhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Raporti përmban edhe një aneks në të cilin pasqyrohet aktiviteti i EULEX-it gjatë muajve të fundit.

“Zhvillimet në Kosovën veriore shërbejnë si përkujtues i fuqishëm se çështjet e pazgjidhura përbëjnë kërcenim për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, ka thënë Sekretari Ban.

Raporti do të debatohet në seancën për Kosovën të Këshillit të Sigurimit, që është caktuar të mbahet më 29 nëntor. Këtë muaj Këshillin e Sigurimit të OKB-së e kryeson Portugalia.

“Jam i brengosur jo vetëm për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në terren, si rezultat i zhvillimeve të fundit, por gjithashtu edhe për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike anembanë Kosovës, polarizimin e qëndrimeve politike, si dhe zgjerimin e hendekut mes komuniteteve në veri dhe në jug të lumit Ibër”, ka shtuar ai.

Përderisa mbetet e pazgjidhur situata në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa çështjet lidhur me sundimin e ligjit të mbesin të ndërlidhura me qëndrimet lidhur me statusin e Kosovës, Ban thotë se bashkësia ndërkombëtare dhe njerëzit në terren do të përballen me rrezikun e eskalimit të tensioneve si dhe shpërthimin e dhunës.

Ai shpreh keqardhje që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është bllokuar, “kryesisht për shkak të zhvillimeve në veri”, për çka i bënë thirrje Prishtinës dhe Beogradit si dhe ndërkombëtarëve në Kosovë, “që të veprojnë me kujdes dhe durim dhe të vazhdojnë të tregojnë se kanë besim në dialog”.

Ban shpreson se anëtarët e Këshillit të Sigurimit do t’i dërgojnë mesazh të qartë Prishtinës dhe Beogradit që të marrin përgjegjësi për zbutje të tensioneve dhe parandalim të përsëritjes së dhunës në veri të Kosovës, ndërsa shton se KFOR-i do të mbajë përgjegjësinë për të siguruar lëvizje të lirë në tërë Kosovën.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, situata në veri të Kosovës i ka lënë në hije të gjitha zhvillimet tjera politike në Kosovë, ndërsa për aksionin e forcave speciale të Policisë së Kosovës, më 25 korrik, thotë se nuk ishte i koordinuar me ndërkombëtarët në Kosovë.

Në raport përshkruhet aksioni i Policisë dhe reagimi i serbëve. Ban thotë se ka pasur shkëmbim zjarri gjatë lëvizjes së ROSU në veri dhe se një pjesëtar i Policisë speciale është vrarë afër Zubin-Potokut. Ai përmend djegien e pikës doganore në Jarinjë nga “disa individë”, barrikadat në rrugë, dhe vendosjen e zonave të kufizuara ushtarake të KFOR-it. Ndërsa për planin operativ të 16 shtatorit, të përgatitur nga Qeveria kosovare në koordinim me KFOR-in e EULEX-in, thotë se ka “çuar në forcim të barrikadave serbe”.

Në raport flitet edhe për sulmin e demonstruesve serbë në Jarinjë, ku janë lënduar 9 ushtarë të KFOR-it “dhe dhjetëra serbë”. Ban thotë se ka marrë një letër nga Beogradi që të hetohet “përdorimi forcës së armatosur nga KFOR-i kundër civilëve serbë, por shefi i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen i është përgjigjur se KFOR-i ka vepruar në përputhje me mandatin që ka dhe nuk ka nevojë për kurrfarë hetimi”.

Kreu i Kombeve të Bashkuara thotë se UNMIK-u ka lehtësuar komunikimin mes Kosovës dhe Interpolit gjatë tre muajve të fundit, me ç’rast janë pranuar kërkesat për 7 fletarreste ndërkombëtare, ndërkaq 11 tjera mbesin për t’u proceduar.

Ndërsa, në raportin lidhur me aktivitetin e EULEX-it, të cilin në OKB e ka deponuar baronesha Catherine Ashton, flitet edhe për angazhimin e Misionit të BE-së në veri, procedimin e rasteve për krime të luftës, korrupsion dhe krim të organizuar
Shtuar më 06/11/2011, ora 14:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori