Veri, serbët me dilema për zgjedhjet
Thirrjet kundër organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë po përsëriten çdo ditë. Serbia megjithatë pritet të marrë një vendim për këtë çështje, gjatë javës së ardhshme. Oliver Ivanoviq thotë se zgjedhjet pa përkrahje ndërkombëtare vështirë se do të kenë sukses. Por ai vlerëson se zgjidhjen për këtë duhet kërkuar në Kushtetutën e Serbisë dhe në Rezolutën 1244, raporton gazeta Express.

Pavarësisht deklaratave të ndërkombëtarëve, përfaqësuesi i Qeverisë serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq thotë se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve ose jo do të merret javën e ardhshme në Beograd.

Por, Ivanoviq nuk është shprehur i sigurt nëse votimet serbe mund të mbahen pa mbështetjen e ndërkombëtareve. “Nuk jam optimist nëse nuk e kemi përkrahjen ndërkombëtare, sepse teknikisht është shumë vështirë të zhvillohen zgjedhjet”, ka thënë Ivanoviq për Express.

Ai ka pohuar se vendimi i autoriteteve serbe do të bazohet në Kushtetutën e Serbisë dhe në Rezolutën 1244.

Kushtetuta e Serbisë e parasheh Kosovën pjesë të territorit serb, ndërsa Rezoluta 1244 i kërkon Serbisë të mos ketë kurrfarë institucionesh në Kosovë.

“Vendimi duhet të bazohet në Kushtetutën e Serbisë, së pari, e gjithashtu duhet të merret parasysh edhe Rezoluta 1244. Kuptohet, gjithmonë po e tërheq vërejtjen tek ata që e marrin vendimin, se vendimi i tyre duhet të marrë parasysh edhe çështjet teknike deri diku, sikurse edhe situatën politike. Sepse dihet se pa pas marrëveshje me UNMIK-un, ose me misionet ndërkombëtare në Kosovë, nuk ma merr mendja që kemi mundësi të organizojmë zgjedhje në mënyrë të suksesshme”, ka shtuar Ivanoviq.

Ndryshe, një ditë më parë, lehtësuesi i BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Robert Cooper ka kërkuar nga të dyja palët të përgatiten për të biseduar për të gjetur një zgjidhje politike për Veriun e Kosovës. Ka thënë se për të arritur një marrëveshje mes palëve, duhet të përfshihen nivele të larta të vendimmarrjes në Prishtinë dhe Beograd.

Kjo deklaratë e Cooperit është mirëpritur nga Oliver Ivanoviq.“E përkrah mendimin e Cooperit se duhet të ketë njëfarë nivel tjetër, jo teknik, siç ka qenë deri më tash, po të ketë gjithashtu edhe delegacione që e kanë legjitimitetin prej zgjedhjeve. Në këtë moment e kemi Qeverinë e Serbisë në fund të mandatit, edhe kemi Qeverinë e Prishtinës shumë të dobët që mund të bjerë çdo ditë”, ka thënë ai.

Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vazhdimisht kanë mohuar mundësinë që Prishtina të bisedojë me Beogradin për çështjen e Veriut. Vazhdimisht e kanë përmendur si zgjidhje për ketë pjesë Planin e Ahtisaarit.

Megjithëkëtë, Ivanoviq thotë se sikur Prishtina, ashtu edhe Brukseli, e ka kuptuar se problemi i Veriut ekziston dhe duhet adresuar.

“Cooper ka nënvizuar se problemi i Veriut ekziston edhe ka nënvizuar diçka tjetër që duhet të merremi vesh, se ndryshe s`bën. Me akte të njëanshme sikur deklarata e pavarësisë, nuk kryhet puna”, ka deklaruar Ivanoviq.

Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mos menaxhohet nga institucionet e Kosovës, derisa atje funksionojnë të gjithë mekanizmat shtetërorë të Serbisë.

Në korrik të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë një aksion policor për të shtrirë autoritetin në dy pikat doganore, por se ishte ballafaquar me kundërshtimin e banorëve lokalë. Prej asaj kohe, rrugët e Zubin Potokut, të Leposaviqit dhe të Zveçanit mbesin të pakalueshme edhe për institucionet ndërkombëtare.

Së fundmi, EULEX-i dhe KFOR-i po negociojnë marrëveshje me serbët lokalë për t`ua mundësuar atyre lëvizjen nëpër rrugët e komunave veriore.
Shtuar më 11/03/2012, ora 16:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori