Vendimi i Kushtetueses për një unitet shqiptar
Pëlqej
nga Besnik Murati

Këtë shkrim e titullova “vendimi i kushtetues për një unitet shqiptar” për faktin se, është koha e fundit që ne shqiptarët në përgjithësi e në veçanti ne në Kosovë, të punojmë në të mirën e vendit dhe popullit të saj. Historia nuk do të na e fal, nëse ne edhe më tutje dështojmë të bëhemi Zot të shtëpisë sonë.

Me përfundimin e zgjedhjeve të gjithë nuk mund të dalin fitues, pa dyshim, gëzimi dhe hidhërimi është pjesë e lojës politike në aspektin pozitiv të fjalës. Mirëpo, besimi dhe ngazëllimi i të dy blloqeve se secili nga to ka shumicën, realiteti është se as njëra e as tjetra nuk e kishte atë, shumicën e spektrit shqiptarë.

Dy blloqet shumicën e lidhnin me minoritete, në fakt, ky do të ishte dështimi më i madh i secilës palë, pavarësisht se cila do ta formonte qeverinë sepse, kjo do të ishte një qeveri e pakicës nën thundrat dhe direktivat e Beogradit. Kjo do të nënkuptonte që edhe pas çlirimit nga një okupator shekullor, ne prapë me vetëdije të plot do ta kthenim vendin në një okupim të ri nën ombrellën e qeverisjes dhe demokracisë.

Është koha dhe momenti i fundit që partitë shqiptare të gjykojnë me mendje të shëndosh, nëse vërtet kanë për qellim të mirën e vendit dhe të qytetarëve të saj, të bëjnë hapat e duhur drejt bashkimit për të mirën e të gjithëve.

Shumica nga ju në deklarimin e pasurisë tuaj, jeni milioner në këtë krizë ekonomike që është Kosova dhe populli i saj, kjo më bënë shumë skeptik në qëllimet e shumicës nga ju se keni në hallë të mirën e vendit dhe popullit të saj.

Mirëpo, historinë secili e shkruajmë për vete me veprat tona, kështu që, historia do të shkruaj edhe për ju, ajo tashmë është duke u shkruar por, atëherë nuk do të ju bëje dobi as pasuria e as pushteti sepse, do të jeni turpi i së kaluarës dhe së ardhmes.

Prandaj, është imediate që Kosova ta ketë një qeveri të shumicës shqiptare, por, me qëllimin e vetëm dhe parësor kthesën e saj në binarët e vërtet, dhe, shpëtimin e këtij populli nga varfëria dhe degjenerimi njerëzor që është kapluar në çdo pore të jetës.

Kjo qeveri të formohet jo mbi premisat e ndarjes së posteve politike për përfitime të liderëve dhe militantëve partiak, por, mbi qëllimet që synim kanë qeverisje të mirë për vendin dhe qytetarët.

Së pari, kjo qeveri ta ketë kusht sundimin dhe vetëm sundimin e ligjit, pavarësisht se kush qëndron përball tij.
Së dyti, të bëjë reformën zgjedhore e cila për synim ka të mirën e vendit e jo të mirën e politikanëve të korruptuar, ngase, në legjislaturën e kaluar tërë mandatin u tha se çfarë nuk u tha nga grupi punues për reformën zgjedhore mirëpo, qëllimi nuk ishte reforma por blerja e kohës dhe përfitimet materiale.

Së treti, politika zhvillimore të ekonomisë dhe jo burokraci të bazuar në përfitime personale.

Së katërti, rishikim të tërë procesit të privatizimit, sepse, në këtë sektor krimi më i madh që i është bërë Kosovës dhe popullit të saj është ky proces i dështuar dhe i korruptuar.

Në të kundërtën, do të kenë të drejtë të thonë akoma fjalinë e famshme dhe fatkeqe se, “shqiptarët din ta fitojnë luftën mirëpo, nuk din ta fitojnë paqen”. John F. Kenedi thoshte, “Le të mos bëjmë marrëveshje nga frika. Por, le të mos kemi frikë të bëjmë marrëveshje./albeu.com/



Shtuar më 23/08/2014, ora 14:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori