Vendimet e plota që mori sot Kryesia e Kuvendit
Pëlqej
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për dy javët e ardhshme.
Kryesia vendosi që të enjten, më 28 qershor, në orën 10:00, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, në të cilët pritet të shqyrtojë në të dy leximet Projektligjin për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në orën 12:00, ndërkaq, në të njëjtën ditë, do të vazhdojnë punimet e seancës plenare me pikat e papërfunduara më 6, 8 dhe 14 qershor 2018, përkatësisht votimet për propozim-rezolutat për tri interpelanca të kryeministrit Ramush Haradinaj: në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, si dhe atë për vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Më pas, do të vazhdojë seanca me pikat e papërfunduara më 14 dhe 19 qershor 2018.
Deputetët pritet të votojnë Propozim-rezolutën nga interpelanca e ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për kuartalin e katërt (K4) 2017 dhe kuartalin e parë (K1) 2018, si dhe për katër projektligje në parim: Projektligjin për aktet juridike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për miniera dhe minerale.
Seanca do të vazhdojë me votimin e katër raporteve për vitin 2017: raportit vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, si dhe raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e propozimit për formimin e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës dhe atë në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018.

Seanca pritet të përfundojë me debatin parlamentar në lidhje me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021.

Me 5 korrik, në orën 10:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re.
Pas pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës, do të mbahet interpelancë e kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, Prishtinë-Hani i Elezit.

Në këtë seancë, do të shqyrtohet në parim Projektligji për efiçiencë të energjisë, ndërsa në lexim të dytë, Projektligji për shërbimet postare dhe ai për masat mbrojtëse në importe.

Pritet gjithashtu shqyrtimi i raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për vitin 2017 dhe i propozimit të Grupit Parlamentar të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
Kësaj seance do t’i shtohen edhe pika të tjera, të cilat do të jenë të gatshme për shqyrtim.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëvperimtaria e saj.

Kështu, nisma legjislative “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës”, hartuar nga Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, u procedua për mendim në qeveri. Deputetëve, ndërkaq, do t’u shpërndahen tri projektligje të tjera: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Hetim Parlamentar, hartuar nga nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, mbështetur edhe nga 11 deputetë, Projektligji për peticione, hartuar nga deputetja Albulena Haxhiu, mbështetur edhe nga 10 deputetë të GP të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për familjen i Kosovës, hartuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.


Shtuar më 22/06/2018, ora 15:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori