Vendimet e Kuvendit nuk diskutohen, zbatohen
Lëvizja Vetëvendosje deri tani nuk ka treguar interesim që të angazhohet në bisedime, të cilat do të mund të çonin drejt anulimit të protestës së radhës të paralajmëruar prej saj më 22 janar. Dardan Molliqaj ka thënë se Vetëvendosje do të protestojë edhe të dielën e ardhshme.

“Prapë do të jemi në pikat Dheu i Bardhë dhe Merdarë, ku në mënyrë të njëjtë, sikurse më 14 janar, do ta bëjmë bllokimin e rrugëve që vijnë nga Serbia, për ta ndaluar Serbinë në Kosovë”.

“Sigurisht që do të rrimë aty derisa Qeveria e Kosovës nuk e zbaton vendimin e Parlamentit të Kosovës. Në momentin kur Qeveria e zbaton këtë vendim, atëherë ne nuk do të jemi në rrugë, por do të jemi në aktivitete tjera”, ka thënë Molliqaj për Radion Evropa e Lirë.

Molliqaj ka pohuar se deri të mërkurën Vetëvendosje nuk ka marrë ndonjë thirrje as nga presidentja Atifete Jahjaga as nga ndokush tjetër, por njëkohësisht ka shtuar se “vendimet e Kuvendit nuk diskutohen, ato vetëm zbatohen”.

Presidentja Atifete Jahjaga një ditë më parë përmes një deklarate ka ftuar Vetëvendosjen që të heqë dorë nga protestat dhe t’i kthehet punës, debatit dhe procesit të vendimmarrjes në Kuvend dhe aty të kontribuojë në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave.

Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën pak pas deklaratës së Molliqajt, ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje për një debat në Kuvendin e Kosovës. Thaçi ka përsëritur se rrugët nuk janë vendi i duhur për të zgjidhur problemet. “Dallimet dhe dilemat nuk zgjidhen në rrugë. E ftoj Vetëvendosjen që të kthehet në Kuvend dhe t’i bisedojmë të gjitha”, ka thënë Thaçi.
Shtuar më 18/01/2012, ora 20:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori