Vdekja e Astrit Deharit / VV kërkon përjashtimin e prokurorit nga hetimet
Kanë kaluar shumë pak ditë nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, ndërsa familjarët e tij kanë kërkuar hetim të pavarur rreth detajeve të vdekjes së Deharit.

Lidhur me hetimet, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit Sylë Hoxha, ka thënë se janë aktivizuar dy prokurorë dhe dhjetra policë për të zbardhur këtë ngjarje dhe se pritet që së shpejti të dalë edhe rezultati i autopsisë së Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Por, nga Lëvizja Vetëendosje është kundërshtuar që pjesë e hetimit të jetë prolkurori Metush Biraj, pasi është nën hetime për shkelje etike, dhe se sipas tyre nuk mund të jetë i besuëshëm.

Gjatë një konference për medie, VV ka deklaruar se prokurori Biraj ka kërkuar zbutje të dënimit për Elez Hoxhën, vëllait të tij, i cili ishte dënuar me katër vite burg për korrupsion, duke marrë para për një rast vrasjeje.

E lidhur me rastin e vdekjes së Deharit, avokati Korab Sejdiu ka thënë se institucionet duhet ta zbardhin këtë rast sa më shpejtë dhe për këtë duhen ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme hetimore, transmeton "Telegraf".

Ai ka shtuar se pavarësisht rezultateve të hetuesisë, shteti ka përgjegjësi civile për shkak se ka vdekur një person i cili ka qenë nën përkujdesjen e shtetit.

Astrit Dehari kishte ndërruar jetë në qendrën e paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i paraburgosur për pjesëmarrje në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. /albeu.com/



Shtuar më 11/11/2016, ora 10:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori