Rezoluta e Shqipërisë kundër Dick Marty, deputeti serb: Të reagojmë me dhunë

Kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, njëkohësisht deputet, Milovan Drecun ka reaguar për rezolutën e Shqipërisë në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku kërkon që të shpallë të pavërteta akuzat në raportin e Dick Marty.

Në një intervistë për RTS (Radio Televizionin Serb), Drecun tha se Serbia duhet të reagojë ashpër dhe me dhunë për këtë rezolutë të Shqipërisë, e cila sipas tij, kërkon që të vrasë të vërtetën.

“Mendoj se si shtet, qeveria jonë, parlamenti duhet të reagojmë dhunshëm ndaj kësaj rezolute që tenton të fshehë tërësisht një krim të tmerrshëm, të justifikojë Shqipërinë. Ata duan që nëpërmjet Këshillit të Evropës të rishikojnë faktet tani dhe të vrasin të vërtetën për herë të dytë”, u shpreh Drecun.

Ai ka paralajmëruar se situata në veri të Kosovës mund të destabilizohet seriozisht.

Kujtojmë se këtë të shtunë, Rama bëri me dije se Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Rezoluta u miratua unanimisht më 21 korrik të këtij viti në Kuvendin e Shqipërisë.