Vazhdojnë rreshjet, vështirrësi në tërë Kosovën
Bora që ka rënë në ditët të fundit ka krijuar shumë vështirësi nëpër shumë rajone të vendit. Të reshurat e pandërprera të borës në komunën e Pejës, jo vetëm që e kanë vështirësuar qarkullimin, por i ka lënë shumë fshatra bllokuara, ndërsa shumë kulme të shtëpive dhe të objekteve tjera janë rrënuar.

Anëtarët e Shtabit Emergjent të komunës thonë së po bëhen përpjekje të pandërprera që të lirohet qarkullimi dhe t’u dalin në ndihmë qytetarëve si në furnizim me ushqime, barna dhe transport për të sëmurët deri në spital.

Bora në rajonin e Pejës ka arritur lartësinë deri në dy metra ndërsa gjendja më e vështirë raportohet të jetë në Rugovë me të cilën vazhdon të mbetet pothuaj e këputur lidhja rrugore me të.

Hiq më lehtë nuk është as në rajonin e Deçanit e të Junikut ku trashësia e borës ka arritur në mbi dy metra. Banorët e këtyre lokaliteteve e me vetiniciativë kanë hapur rrugët lokale.

Qytetarë të Gjakovës ka nisur të heqin borën nga çatitë e tyre, nga frika e shembjes së tyre, ndërkohë që situata pas reshjeve që nuk po pushojnë që nga dita e premte po paraqitet e vështirësuar në shumë zona të komunës. Në zonën e Rekës së Keqe, nga Ponosheci deri në Botushë, ka pasur vështirësi të mëdha në kalim.

Rruga për në Qendrën e Skijimit në Brezovicë ka vazhduar të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve edhe të dielën. Policia e Kosovës, e cila është vendosur në këtë aks rrugor, nuk lejon qarkullimin e automjeteve për në atë pjesë, për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe pamundësisë së kalimit të veturave. Komandanti i Stacionit Policor në Shtërpcë, Dragan Ivanoviq, i tha “Kohës Ditore” të dielën se rruga vazhdon të jetë e bllokuar si pasojë e shembjes së ortekëve të borës, që kanë ardhur si shkak i erërave të forta në këtë zonë.

Gjashtë fshatra të thella malore të Kaçanikut kanë mbetur të izoluar nga bora edhe të dielën. “Të paqarkullueshme për automjetet janë rrugët që çojnë në fshatrat Strazhë, Gjyrgjedell, Kotlinë, Dërnagllavë, Kërbliq dhe Llanishtë”, ka bërë të ditur Rushan Ceka, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, të dielën. Sipas tij, rrugët tjera lokale i ka hapur kompania e kontraktuar nga Komuna për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, e ndihmuar nga kompani lokale dhe banorët e disa fshatrave.

Gjendje e vështirë raportohet të jetë edhe në Shalën e Mitrovicës dhe në disa fshatra të Podujevës.
Shtuar më 12/02/2012, ora 16:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori