Po rregullonte trafikun në rrugën Maqellarë-Peshkopi, lëndohet rëndë polici, pritet të transportohet me helikopter te Trauma

Një punonjës i Policisë Rrugore është lënduar rëndë mesditën e sotme në rrugën Maqellarë-Peshkopi. Uniformat blu bëjnë me dije se punonjësi i Policisë Rrugore është lënduar momentin që po rregullonte trafikun në rrugë, të krijuar nga një kamion i cili kishte mnetur në mes të rrugës, pasi i kishte pësuar defekt.

Në momenitn që polici po rregullonte trafikun, ka plasur një nga gomat e kamionit, duke lënduar në këtë mënyrë policin, Tonin Toska.

Polici ka marrë dëmtime të rënda në dy këmbët, ndërsa është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëdetësore.

Pritet helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë për të transportuar punonjësin e Policisë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Njoftimi i Policisë

Dibër/informacion paraprak

Rreth orës 14.00, në vendin e quajtur ‘Qenok’, aksi rrugor Maqellarë-Peshkopi, një mjet i tonazhit të rëndë kamion ka pësuar defekt duke bllokuar aksin rrugor. Menjëherë patrulla e Policisë Rrugore ka shkuar në vendin e ngjarjes me qëllim menaxhimin dhe hapjen e trafikut për automjetet.

Gjatë momentit që punonjësi i Policisë Rrugore po rregullonte trafikun, ka plasur njëra nga gomat e kamionit dhe është lënduar rëndë punonjësi i policisë rrugore shtetasi T.T.
Punonjësi i Policisë është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka dëmtuar të dy këmbët.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje.
Pritet helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë për të transportuar punonjësin e Policisë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.


Shtuar 7.01.2023 14:35