Kapet laçiani i shumë kërkuar, do të “paketohet” për në Itali

Policia e Kurbinit dhe ajo e Tiranës arrestuan sot një 42-vjeçar të shpallur në kërkim i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike.

Policia thotë se në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, FAST Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar në informacionet e shkëmbyera mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për një shtetas në kërkim, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Next”.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Grup kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal italian”, bën me dije policia.

42-vjeçari akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përbërë nga shtetas shqiptarë, që operonte kryesisht në Milano dhe synonte trafikun e kokainës në nivel ndërkombëtar. Pjesëtarët e organizatës kishin në dispozicion disa banesa në Milano, që i përdornin për veprimtarinë e tyre kriminale.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.


Shtuar 24.08.2023 14:52

Tags: