Pamje nga sherri mes fiseve për guroren në Borizanë, momenti kur Rrajat i sulmojnë me shkopa bejzbolli, vëllai i deputetit i drejton pistoletën biznesmenit

Pamje të rënda janë publikuar në rrjet nga sherri mes dy fiseve në Borizanë të Krujës.

Kanë qenë anëtarët e fisit Rraja ata që kanë shkuar në një lokal në zonë dhe kanë sulmuar me shkopa bejzbolli dy anëtarët e fisit Maja, të cilët në ato momente po pinin kafe.

Siç shihet dhe nga pamjet, janë rreth 10 persona që i sulmojnë pa mëshirë dhe i shajnë, ndërkohë vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja i ka drejtuar armën njërit prej tyre në shenjë në shenjë kërcënimi.

Mësohet se njëri nga dëmtuarit e fisit Maja ndodhet në spital në gjendje të rëndë për shkak të goditjeve të forta që ka marrë në kokë dhe në trup.

Sherri ka ndodhur për një gurore, në pronësi të Rrajave. Anëtarë të fisit Maja janë ankuar dhe kanë denoncuar në polici për tronditjet që u japin shpërthimet dhe dëme në banesa. Kjo ka sjellë dhe “hakmarrjen” e Rrajave.

Për ngjarjen policia ka shoqëruar dy persona.

Njoftimi policisë:

Ditën e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë ka ndodhur një konflikt mes shtetasve B. M., e J. M., dhe shtetasve Xh. Rr., I. Rr., dhe K. Rr.

Gjatë konfliktit shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë shoqëruar shtetasit Xh. Rr., dhe P. Rr., si dhe po punojnë për shoqërimin e shtetasve I. Rr., dhe K. Rr., të përfshirë në këtë konflikt.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë një informacion të plotë.


Shtuar 7.07.2023 12:41