Dëmtimi i këmbëve nga DIABETI, zbatoni këto këshilla dhe do na falenderoni!

Një diabet i patrajtuar mund të bëhet shkak për dëmtimin edhe të shumë organeve të tjera. Ndër shqetësimet më të shpeshta që manifestojnë pacientët me diabet janë edhe ndërlikimet e këmbëve, të cilat shfaqen në formën e infeksioneve mykotike ndërmjet gishtave, thonjve, formimit të gungave, plagëve të hapura, futjes së thonjve në mish, etj. Në vijim të shkrimit, mjekja Ilda Xhelili, ndalet në këshillat që pacientët diabetikë duhet të tregojnë për të shmangur shfaqjen e ndërlikimeve në këmbë.

Si mund të ndikojë diabeti tek këmbët?

Nivelet kronike të sheqerit (glukozës) në gjak mund të shoqërohen me komplikacione serioze për njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje, ku më të rrezikuarat nga këto ndërlikime janë këmbët. Problemet kryesore që mund të dëmtojnë kryesisht këmbët (por edhe pjesë të tjera të trupit) janë sëmundjet vaskulare periferike dhe neuropatia diabetike.

Diabeti shoqërohet me dobësim të qarkullimit të gjakut. Rrjedhja e pamjaftueshme e gjakut rrit kohën e shërimit të plagëve, por rrit edhe rrezikun e infeksioneve të ndryshme. Për pasojë rritet rreziku i formimit të ulceracioneve dhe gangrenës që do të thotë vdekje e indeve në një zonë të lokalizuar kur ka furnizim të pamjaftueshëm në gjak. Nivelet e larta dhe kronike të glukozës në gjak mund të shkaktojnë dëme nervore që ndërhyjnë në aftësinë për të perceptuar dhimbjen dhe temperaturën.

Kjo e ashtuquajtur “neuropati diabetike” rrit rrezikun që një person me diabet nuk do të dallojë në kohë problemet me këmbët e tij. Gati 10 për qind e diabetikëve shkojnë deri në shkaktimin e ulceracioneve vetëm për shkak të neuropatisë dhe sëmundjeve vaskulare periferike (të enëve periferike të gjakut). Njerëzit me diabet mund të mos vërejnë plagë, ose prerje në këmbë, të cilat mund të çojnë në një infeksion. Dëmtimi nervor mund të ndikojë gjithashtu edhe në dëmtimin e muskujve të këmbëve (por edhe të muskujve të tjerë). Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara ndërlikimet e shpeshta që shkakton diabeti tek këmbët, si dhe këshillat se si duhet të veproni për t’i trajtuar.

Infeksioni mykotik midisi gishtave të këmbës:

Së pari përmendim “këmbën e atletit” që është infeksioni mykotik që zhvillohet midis gishtave të këmbëve. Lëkura e plasur, kruajtja dhe skuqja shoqërojnë gjendjen. Mykrat hyjnë në të çarat e lëkurës dhe shkaktojnë infeksionin që duhet trajtuar me barna antimykotike.

Infeksionet mykotike të thonjve:

Infeksionet mykotike prekin shpesh edhe thonjtë. Kërpudhat (mykrat) lulëzojnë në mjedisin e ngrohtë, të lagësht dhe të errët të krijuar nga këpucët e mbyllura. Dëmtimi i thonjve rrit gjithashtu rrezikun e infektimit  të thonjve. Ndonjëherë operacioni është i nevojshëm për të hequr zonat e infektuara. Trajtimet aktuale janë efektive vetëm për disa lloje të infeksioneve mykotike të thonjve.

Lëkura e thatë dhe e plasaritur:

Për diabetikët është karakteristike lëkura e thatë dhe e plasaritur duke lejuar kështu bakteret dhe mikrobet e tjera të futen në trup dhe duke shkaktuar potencialisht një infeksion. Prandaj përdorimi i sapunëve dhe kremrat hidratues ndihmojnë në ruajtjen e barrierës së lëkurës duke e mbajtur atë të butë dhe të hidratuar (jo të thatë).

Ulcerat e këmbëve:

Një ndër problemet më serioze siç e theksova edhe në fillim mbeten ulcerat e këmbëve, të cilat prekin njerëzit me diabet. Kjo ndodh sepse plagët shërohen ngadalë, ose nuk shërohen. Tek këta persona edhe dëmtimet e vogla mund të rezultojnë në plagë. Prandaj diagnoza e hershme dhe trajtimi i duhur janë të nevojshme për të zvogëluar rrezikun e komplikacioneve.

Formimi i gungave:

Dobësimi i muskujve tek diabetikët bën të shkurtohen tendinat tek gishtërinjtë duke çuar në kontraktimin e tyre dhe formimin e gungave. Por, këto gunga mund të jenë edhe të trashëguara. Ato gjithashtu mund të shkaktohen edhe nga përdorimi i këpucëve të vogla dhe këmba nuk gjen hapësirën e duhur për t’u tendosur plotësisht duke formuar gunga në gishtërinj, por edhe plagë. Këpucët korrigjuese mund të ndihmojnë në ripozicionimin dhe trajtimin e tyre. Ndonjëherë mund të jetë e nevojshme dhe kirurgjia.

Futja e thonjve në mish:

Si pasojë e përdorimit të këpucëve jo adekuate mund të ndodhë dhe futja e cepave të thonjve në mish (muskul) që shkakton infeksion të indit përreth dhe që është tepër i dhimbshëm. Mënyra më e mirë për të parandaluar këtë fenomen është prerja drejt e thonjve dhe pak mbi nivelin e mishit. Pra të mos priten cepat dhe jo deri në rrëzë. Në mënyrë të veçantë për higjienën e thonjve, diabetikët duhet të konsultohen me mjekun.

Këshillat si mund të parandalohen:

Përkujdesja e mirë për këmbët mund të parandalojë problemet përpara se ato të fillojnë. Të jetosh me diabetin do të thotë t’i kushtosh një kujdes të veçantë shëndetit dhe gjendjes tënde. Duhen ndjekur me rigorozitet këshillat e mjekut për dietën, aktivitetin fizik dhe medikamentet.

Mbajtja e nivelit të sheqerit (glukozës) brenda intervalit të rekomanduar është një nga gjërat më të mira që mund të bëni për të kontrolluar gjendjen tuaj dhe për të mbrojtur këmbët tuaja.

Inspektoni çdo ditë këmbët tuaja për skuqje, plagë, kallo dhe shenja të ndryshme të acarimit.

Lani çdo ditë me ujë të ngrohte dhe sapun hidratues këmbët dhe kushtojini shumë rëndësi tharjes me peshqir të pastër, sidomos në zonën midis gishtave.

Shmangni përdorimin e kremrave në zonën midis gishtave dhe pyesni mjekun për llojin e kremit në përputhje me llojin tuaj të lëkurës dhe gjendjes tuaj shëndetësore.

Një herë në javë kontrolloni gjendjen e thonjve. Shmangni prerjen e rrumbullakët në cepa. Zgjidhni çorape të buta dhe me llastik jo shtrëngues.

Vishni çorape kur flini nëse keni ftohtë.

Zgjidhni këpucë të përshtatshme, të buta dhe në masën e duhur.

Shmangni sa të mundni udhëtimet e gjata dhe qëndrimet e gjata në këmbë.

Nëse mundeni ngrini herë pas here këmbët mbi nivelin e trupit (mbi një karrige kur jeni ulur ose me një jastëk kur jeni shtrirë).

Edhe kur nuk keni shqetësime duhet të bëni kontrollin e rregullt të këmbëve te mjeku. Mjeku vlerëson ngrohtësinë e këmbëve dhe skuqjen, pulsin në këmbë dhe ndjeshmërinë.

Shmangni përdorimin e duhanit sepse ai përkeqëson problemet e qarkullimit të gjakut. Dhe së fundi mos nguroni asnjëherë t’i parashtroni mjekut dhe shqetësime, të cilat juve mund t’ju duken të parëndësishme, por që mund të luajnë rol vendimtar në trajtimin adekuat dhe në kohën e duhur të problemit.