“Tirana ka vetëm smog”, Jul Deda: Në 4 vjet asnjë ndërtim në Unazën e Madhe, rishikim kredive të buta

Aktori Julian Deda dhe anëtar i Kryesisë së PD, i cili garon në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, ka prezantuar pikat e programit të tij. I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Deda u shpreh se pika e parë e tij është të ndalojë ndërtimet për 4 vite brenda Unazës së Madhe të Tiranës.

“Unë propozoj 4 vjet të mos ketë asnjë ndërtim brenda Unazës së Madhe. Zero ndërtime brenda Unazës së Madhe. Tiranës i është zënë fryma, Tirana s’ka frymëmarrje, ka vetëm smog, ka një përqendrim këtu. Ne mund të bëjmë një gjë tjetër, që duke bërë zero ndërtime brenda Unazës së Madhe, ne mund t’i hapim rrugë ndërtimit të një Tirane 2, 3 kështu me radhë jashtë Unazës. Pra jo se s’do ketë ndërtime, por brenda saj mos ketë asnjë lloj ndërtimi. Kjo bëhet me një plan të mirëmenduar”.

Një tjetër pikë ai përmendi edhe rishikimin e skemës së kredive të buta për çiftet e reja.

“Propozoj rishikimin e skemës së kredive të buta dhe sidomos mundet të bëjmë diçka në raport me subvencionimin 20% të shumës së një apartamenti të parë për çiftet e reja. Me këtë ne nxisim sadopak njerëzit që të rrinë këtu sepse shpopullimi është ajo që po e vret këtë vend, edhe Tiranë, por edhe Shqipërinë. Lindin këtu, ose vijnë në Tiranë, dhe lidhen me njëri-tjetrin dhe pastaj marrin rrugën dhe ikin nëpër Angli e nëpër Itali. Që t’i mbajmë në një farë mënyrë, t’i krijojmë mundësi që të rrinë në Tiranë. Ne mund të fillojmë të taksojmë banesat e dyta dhe të treta. Nuk e di sa taksohen por duhet të taksohen në mënyrë progresive. Të rriten akoma më shumë se ata që i kanë, këtu 40 mijë apartamente 3-4 veta i kanë në Tiranë, se kështu është ky muhabet, do detyrohen t’i shesin dhe jo t’i mbajnë”./tvklan.al