Ushtarja e Kosovës, gjeneralja e parë femër në Dakota (FOTO LAJM)

Giselle Wilz, ish ushtare në Kosovë, bëhet gjeneralja e parë femër në Dakota të SHBA-ve
Amerikania Giselle Wilz, e cila ka shërbyer si ushtare edhe në Kosovë, është bërë femra e parë me gradën e gjeneralit në armatën e shtetit të Dakotës Veriore.

Emërimi u bë dje gjatë një ceremonie të mbajtur në Qendrën e Trashëgimisë, në qytetin Bismarck.

"Është një nder. Mendoj se është me rëndësi që më në fund e thyem një barrierë. Pa ushtarët me të cilët shërbeva gjatë shumë viteve, unë nuk do të mund të isha këtu ku jam sot", ka thënë Wilz, citon Klan Kosova.

Wilz, e cila deri tashti kishte gradën e koloneles, ka marrë më herët edhe Medaljen për Shërbim në Kosovë, dekoratë kjo e themeluar me urdhrin e e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton. Ajo u dedikohet më meritorëve të ushtrisë amerikane që shërbyen në Kosovë, nga 24 marsi 1999 deri më 31 dhjetor 2013.

Gjeneral Wilz nga muaji që vjen do të vijë për të shërbyer në afërsi të Kosovës. Ajo do të stacionohet në Sarajevë, si komandante dhe përfaqësuese e lartë ushtarake e NATO-s këtu.

"Atje (në Bosnjë) është një ambient kompleks. Është një situatë sfiduese. Gjërat në këtë pjesë nuk lëvizin me shpejtësinë me të cilën ne do të donim të lëviznin", ka thënë ajo.

Para Kosovë, Wilz ka shërbyer edhe në misione tjera jashtë Amerikës. Ajo ka qenë pjesë e operacionit të madh të SHBA-së në Irak, më 1991, të quajtur "Desert Storm" apo "Stuhia e Shkretëtirës". /albeu.com/
Shtuar më 21/05/2015, ora 14:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori