Industria frenon ekonominë gjermane, kompanitë ulin prodhimin

Kompanitë gjermane kanë ulur prodhimin e tyre befasisht shumë në qershor. Industria, ndërtimi dhe furnizuesit e energjisësë bashku prodhuan 1,5 për qind më pak se një muaj më parë, bëri të ditur të hënën (07.08.2023) Zyra Federale e Statistikave. Ekonomistët e anketuar nga agjencia e lajmeve Reuters kanë pritur një minus prej vetëm 0.5 për qind. Në maj pati një rënie prej 0.1 për qind. “Disponimi i keq midis kompanive tregon një letargji të vazhdueshme,” tha kryeekonomisti Alexander Krüger nga Hauck Aufhäuser Lampe Privatbank.

“Më e shumta që mund të pritet në tremujorin aktual është një rritje e vogël e prodhimit.” Kryeekonomisti i Commerzbank Jörg Krämer shpjegon: “Ekonomia gjermane do të shënojë rënie edhe në gjysmën e dytë të vitit.”

Industria ka prodhuar rreth 1,3 për qind më pak në qershor sesa një muaj më parë. “Pavarësisht rritjes së fundit të kërkesave, perspektiva për aktivitetin industrial mbetet e zymtë, sepse u ndikua shumë nga mungesa e porosive të mëdha”, komentoi Ministria e Ekonomisë zhvillimet e fundit. “Për shkak të pritjeve më të vogla të biznesit dhe eksportit të kompanive, një rimëkëmbje e dukshme nuk është ende në horizont.”

Gjermania është në rënie ekonomike

Specialisti i Commerzbank Krämer theksoi: “Minusi në qershor jep një sinjal paraprak për shifrat e dobëta të prodhimit që do të shfaqen në muajt e ardhshëm.” Sepse tendenca e porosive ka kohë që është në rënie. “Përveç kësaj, sipas sondazheve, kompanitë kanë përpunuar tashmë porositë që kanë mbetur nga koha e Coronës”.

Industria e dëmtuar është rikuperuar pak kohët e fundit pas porosive çuditërisht të mëdha – ndër tjera edhe për shkak të porosive të mëdha nga industria e hapësirës ajrore. Në qershor, porositë u rritën me 7,0 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, që është rritja më e madhe në tre vjetët e fundit. Në maj ka pasur një rritje jashtëzakonisht të lartë me 6.2 për qind, ndërsa tani rritja është edhe më e madhe.

Megjithatë, treguesit kryesorë si klima e biznesit Ifo, tregojnë se ekonomia gjermane, e cila dikur shënonte rritje për vite të tëra, ende është në rënie. Industria e ndërtimit – e cila po vuan nga normat e larta të interesit dhe rënia e porosive të reja për ndërtim – raportoi një rënie të prodhimit prej 2,8 për qind në qershor. Nga ana tjetër, furnizuesit e energjisë kanë prodhuar 0,6 për qind më shumë se një muaj më parë.

Barometri mujor i firmës konsulente Sentix për pritjet ekonomike të agjentëve të aksioneve në Eurozonë ishte pak më i mirë në gusht, pas tre rënieve. Nga ana tjetër, indeksi për Gjermaninë ra për të katërtin muaj radhazi dhe tani është në vlerën më të ulët që nga tetori i vitit 2022. “Ekonomia më e madhe po shndërrohet në njeriun e sëmurë të Eurozonës dhe po bëhet një barrë në rajon”, shpjegoi Sentix. Ekonomia e këtushme duket se ka një frenim të plotë për momentin. /DW


Shtuar 8.08.2023 08:29