Ujku e kafshoi dhe e tërhoqi zvarrë, babai tregon ngjarjen si desh e humbi djalin
Doktorët e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës për herë të parë trajtuan një rast të pacientit i cili u kafshua nga ujku. Pesë vjeçari nga një fshat i Hanit të Elezit mori lëndime të rënda trupore në kokë, duar, bark e këmbë. Ai po trajtohet në QKUK dhe gjendja shëndetësore e tij, sipas mjekëve është stabile. Express ju sjellë rrëfimin babit të djalit si dhe të mjekëve rreth rastit.

Loja me top, gati përfundoi me tragjedi për pesë vjeçarin A. Suma, nga fshati Dimcë i Komunës së Hanit të Elezit. Ai pasditen e djeshme u sulmua nga një kafshë jo e zakonshme, derisa po luante me motrat e vëllain e tij.

Ishte ora gati gjashtë e pasdites. Pesë vjeçari A.Suma po luante në një arë pranë shtëpisë së tij. Por loja atyre iu ndal nga një ‘mysafir’ jo i këndshëm. Ujku u shfaq në mes të arës, duke iu vërsulur atyre. Kafsha e egër kishte arritur që ta kafshojë pesë vjeçarin, duke i shkaktuar kështu lëndime jo të lehta trupore.

Ai u tërhoq zvarrë nga ujku për disa metra. Si pasojë, A.Suma mori lëndime në kokë, krah, këmbë e bark.

Fatmirësisht pesë vjeçari u shpëtua nga axha i tij, i cili e kishte marrë nipin dhe me urgjencë e kishte dërguar për në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

E babai i A. Sopës, Mitati i cili ndodhet bashkë me djalin e tij në QKUK, ka shpjeguar se nuk ishte në shtëpi në momentin kur djali i tij u sulmua nga ujku. Ai ka thënë se nuk është hera e parë që në fshatin e tij janë parë ujqërit.

"Unë nuk kam qenë në shtëpi kur u sulmua djali. Kam arritë në QKUK disa orë pas. Vëllai im ka qenë aty edhe e ka sjellë këtu në spital. Djali po na thonë që është mirë. Ka disa dhimbje e po qan gjithë kohën", tregon prindi ai.

"Ujku edhe më herët është parë në fshat", thotë Mitati.
Shtuar më 26/06/2019, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori